Zbardhen detaje të reja nga vrasja e Rexhep Ismailit mbrëmjen e kaluar në një lokal në Qafë Gjashtë të Sarandës. Autori i vrasjes dyshohet të jetë Lulzim Tabaku, i cili është shpallur në kërkim. Nga hetimet rezulton se Tabaku i shoqëruar nga të tjerë, të cilët lëviznin me dy automjete tip Audi ka shkuar në lokalin e Ismailit. Ky i fundit ka nxjerrë një armë automatike dhe ka qëlluar duke lënë të plagosur një person, ndërsa Tabaku është kundërpërgjigjur me pistoletë duke e vrarë me një plumb në kokë. Tabaku dhe miku i tij i plagosur janë larguar me një Audi, ndërsa automjeti tjetër Audi siç shihet në pamje ka mbetur në vendngjarje. Policia po heton motivet e krimit, që dyshohet paraprakisht të jenë larjet e hesapeve për drogë. Dyshimet bien mbi grupin e drejtuar nga Ervis Lami, krahu i djathtë i Eldjan Allushit, të dy në kërkim ndërkombëtar për krime të rënda.







