Ballina Rajoni Greqia në prag zgjedhjesh, krijimi i partive të reja prish ekuilibrat politik,...

Greqia në prag zgjedhjesh, krijimi i partive të reja prish ekuilibrat politik, rikthehet ish-kryeministri Tsipras

65
0

Në Greqi po forcohet gjithnjë e më shumë ndjesia se vendi ka hyrë në një periudhë të gjatë parazgjedhore.

Mesazhet që dha kryeministri Kyriakos Mitsotakis nga Selaniku gjatë fundjavës u interpretuan nga mediat greke si një sinjal se zgjedhjet e parakohshme janë tashmë çështje kohe, me skenarët që flasin për shtatorin ose tetorin e këtij viti.

Gjithsesi, edhe zgjedhjet e rregullta që normalisht do të zhvilloheshin në qershor të vitit 2027 vlerësohet se vështirë mund të mbahen në atë periudhë, pasi Greqia do të marrë Presidencën e Bashkimit Europian, fakt që shtyn qeverinë të shmangë procese zgjedhore në një moment të tillë institucional.

Në të njëjtën kohë, skena politike duket më e fragmentuar se kurrë. Ndërsa është çështje orësh krijimi i dy partive të reja nga ish kryeministri Alexis Tsipras që po rikthehet si dhe Maria Karystianou-një figurë që lidhet fort me çështjen e tragjedisë së Tempit -duket se po ndryshojnë ekuilibrat politikë. Megjithëse konservatorët udhëheqin në sondazhe me 22,5%, gati 10 pikë më shumë se partia e dytë , brenda kampit konservator ka pakënaqësi, ndërsa nuk përjashtohet edhe mundësia e një lëvizjeje të re nga ish-kryeministri Antonis Samaras.

Nga ana e saj opozita ende nuk ka arritur të krijojë një alternativë bindëse përballë qeverisë me socialistët e PASOK-ut që duket se kanë vështirësi për të rritur ndjeshëm përqindjet, ndërsa partitë më të vogla anti-sistem po përfitojnë nga klima e pakënaqësisë së qytetarëve.

Përtej lojërave politike, ajo që dominon në jetën e përditshme të grekëve është presioni ekonomik. Çmimet e larta, qiratë, karburantet dhe energjia vazhdojnë të rëndojnë familjet, ndërsa zhvillimet ndërkombëtare shtojnë ankthin për të ardhmen. Sipas të dhënave të Eurostat, inflacioni në Greqi ka arritur në 5,4%, ndërsa 27,5% e popullsisë ndodhet në rrezik varfërie ose përjashtimi social, përqindja e dytë më e lartë në Bashkimin Europian pas Bullgarisë.

Në të njëjtën kohë, çështje si skandali I përgjimeve, tragjedia e Tempit që ende nuk po gjen rrugën e drejtësisë, skandali I menaxhimit të subvencioneve bujqësore, por edhe debati për kriminalitetin dhe sigurinë publike, vazhdojnë të mbeten plagë të hapura në jetën politike të vendit.

Në mediat greke, nga gazetat më pranë qeverisë deri tek ato më kritike,po forcohet perceptimi se vendi po hyn në një periudhë të ashpër përplasjesh politike dhe polarizimi. Dhe ndërsa qeveria flet për stabilitet dhe vazhdimësi, një pjesë e madhe e shoqërisë duket se kërkon ndryshim, pa e pasur ende të qartë se kush mund ta përfaqësojë atë.