Ballina Europë Denoncoi takimin në Aruba/ Merret nën mbrojtje Nello Trocchia, autori i librit...

Denoncoi takimin në Aruba/ Merret nën mbrojtje Nello Trocchia, autori i librit mbi mafian shqiptare ‘Të Pamposhturit’

83
0

Gazetari investigativ italian Nello Trocchia është vënë nën mbrojtje nga shteti italian pas një serie kërcënimesh të rënda me jetë, të lidhura me investigimet e tij mbi mafian, narkotrafikun dhe krimin e organizuar në Itali.

Vendimi është marrë nga Prefektura e Romës dhe Zyra Qendrore Ndërforcave për Sigurinë Personale, strukturë e Departamentit të Sigurisë Publike pranë Ministrisë së Brendshme italiane, ndërsa për kërcënimet ndaj gazetarit po heton Drejtoria Rajonale Antimafia e Romës (DDA).

Lajmi iu komunikua Trocchias përmes një telefonate zyrtare nga autoritetet italiane, pas një periudhe gjatë së cilës kërcënimet ndaj tij janë shtuar ndjeshëm, si në rrjetet sociale ashtu edhe në forma të drejtpërdrejta intimidimi.

Prej vitesh, Trocchia njihet si një nga emrat më aktivë të gazetarisë investigative italiane në denoncimin e mafias, lidhjeve mes organizatave kriminale, trafikut ndërkombëtar të drogës dhe botës së ultrasve në Itali. Në investigimet e tij ai ka trajtuar vazhdimisht edhe aktivitetin e grupeve kriminale shqiptare në Itali dhe Europë.

Gazetari është autor i librit investigativ “Të Pamposhturit – Mafia shqiptare nga Roma drejt pushtimit të botës”, botuar në vitin 2025. Në këtë vepër, Trocchia analizon ngritjen e organizatave kriminale shqiptare nga grupime të vogla të viteve ’90 në struktura të fuqishme të narkotrafikut ndërkombëtar, të afta për të krijuar aleanca me mafian italiane dhe për të kontrolluar rrjete trafiku në Europë dhe Amerikën Latine.

Sipas autorit, grupet shqiptare kanë fituar një rol kyç në trafikun ndërkombëtar të kokainës, duke bashkëpunuar me organizata si Camorra, ’Ndrangheta dhe klane të fuqishme kriminale të Romës. Libri trajton gjithashtu trafikun e drogës, pastrimin e parave, emigracionin ilegal dhe ndikimin e krimit të organizuar shqiptar në Itali.

Kërcënimet

Sipas mediave italiane, në muajt e fundit Trocchia ka marrë mesazhe kërcënuese me përmbajtje të rëndë, ku i shkruhej:

“Duhet të vdesësh”
“Gazetar terrorist. Ti e di kush jam, secili zgjedh fatin e vet”
“Do të dëgjohemi shpejt, tradhtar”

Këto mesazhe janë përfshirë në dosjen hetimore të antimafias së Romës.

Mes personave që kanë kërcënuar gazetarin përmenden emra të njohur te botës së narkotrafikut roman, individë të lidhur me klane kriminale dhe figura të ambientit ultras. Autoritetet italiane kanë vlerësuar se rreziku ndaj tij është konkret dhe në rritje, çka ka sjellë forcimin e masave të sigurisë.

Trocchia kishte qenë edhe më parë nën mbikëqyrje të pjesshme nga autoritetet italiane, por zhvillimet e fundit kanë shtyrë institucionet të vendosin një nivel më të lartë mbrojtjeje.

Reagimi i gazetarit

Pas vendimit për vendosjen nën eskortë, gazetari italian deklaroi se kërcënimet nuk do ta ndalin punën e tij investigative.

“Institucionet kanë vendosur të rrisin nivelin e mbrojtjes ndaj meje me caktimin e një truproje. Falënderoj ata që kujdesen për sigurinë time. Ndjej një përgjegjësi edhe më të madhe për të vazhduar punën time. Do të vazhdoj të tregoj histori dhe territore të pushtuara nga pushtetet kriminale, si dhe heshtjet dhe bashkëpunimet që i ushqejnë ato,” deklaroi Trocchia.

Ai falënderoi gjithashtu kolegët, redaksinë e gazetës “Domani”, familjarët dhe të gjithë ata që i kanë shprehur mbështetje pas lajmit për vendosjen e tij nën mbrojtje shtetërore.

Rasti i Nello Trocchias konsiderohet një tjetër sinjal alarmi mbi presionin dhe rreziqet me të cilat përballen gazetarët investigativë në Itali, veçanërisht ata që hetojnë aktivitetin e mafias dhe krimit të organizuar./Syri