Ballina Lifestyle Samsung i përgjigjet padisë së Dua Lipës, thotë se ka marrë “garanci...

Samsung i përgjigjet padisë së Dua Lipës, thotë se ka marrë “garanci të qartë” para se ta përdorte imazhin e saj

76
0

Samsung ka reaguar ndaj padisë së Dua Lipës, e cila e akuzon gjigantin e elektronikës për përdorim të imazhit të saj në kutitë e televizorëve pa leje, duke ia hedhur përgjegjësinë një “partneri të përmbajtjes”.

Në një deklaratë për Billboard, Samsung tha se imazhi i artistes është përdorur në vitin 2025 për të pasqyruar përmbajtjen e partnerëve të tretë në shërbimin e tyre falas Samsung TV Plus, dhe se fotografia fillimisht është siguruar nga një partner i përmbajtjes.

Samsung shton se, bazuar në këtë siguri, mohon çdo pretendim për përdorim të qëllimshëm të paautorizuar.

“Imazhi është përdorur vetëm pasi është marrë garanci e qartë nga partneri i përmbajtjes se leja ishte siguruar, përfshirë edhe për kutitë e shitjes me pakicë. Duke u bazuar në këtë garanci, ne i mohojmë të gjitha pretendimet për përdorim të qëllimshëm të paautorizuar”.

Gjiganti korean, një nga kompanitë më të vlefshme në botë, tha gjithashtu se ka respekt të madh për Dua Lipën dhe të drejtat e pronësisë intelektuale të artistëve, dhe se ka kërkuar dhe mbetet i hapur për një zgjidhje konstruktive me ekipin e saj.

Avokatët e Dua Lipës kanë ngritur padi në gjykatën federale në Los Angjelos, duke pretenduar se një foto e fytyrës së saj është vendosur në kuti kartoni të televizorëve Samsung, duke shkelur të drejtat e autorit dhe të imazhit. Ata thonë se, pavarësisht disa kërkesave zyrtare për ndalimin e përdorimit, kompania nuk ka vepruar.

Sipas padisë, imazhi i saj është përdorur në një fushatë të gjerë marketingu në SHBA gjatë viteve 2025 dhe 2026, dhe kërkohet dëmshpërblim prej 15 milionë dollarësh, si dhe pjesë nga fitimet e kompanisë.

Avokatët e saj e kanë quajtur veprimin e Samsung “përdorim të paautorizuar pa kompensim”.