Qeveria shqiptare ka miratuar ndryshime në vendimin për pullat fiskale, duke shtuar elementët e sigurisë dhe teknologjinë “Track & Trace”, në një lëvizje që synon forcimin e kontrollit mbi produktet e akcizës, luftën ndaj falsifikimit dhe rritjen e standardeve të sigurisë ushqimore.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se amendimet në VKM-në nr. 182 sjellin një gjeneratë të re pullash fiskale, të pajisura me elementë shtesë sigurie, që reduktojnë ndjeshëm mundësinë e falsifikimit.
Një nga risitë kryesore është integrimi i teknologjisë “Track & Trace”, e cila do t’u japë autoriteteve tatimore dhe doganore mundësinë të gjurmojnë produktet e akcizës në çdo hallkë të zinxhirit, nga prodhuesi ose importuesi deri tek konsumatori final. Sipas ministrit, sistemi do të përmirësojë administrimin fiskal dhe do të rrisë kontrollin mbi qarkullimin e mallrave në treg.
Një tjetër element i ri është vendosja e barkodit në pullat fiskale. Përmes skanimit me telefon, konsumatorët do të kenë akses në informacione mbi produktin, përfshirë prodhuesin, importuesin, datën e hyrjes në Shqipëri dhe të dhëna të tjera të rëndësishme. Sipas qeverisë, kjo do të ndikojë edhe në forcimin e sigurisë ushqimore dhe transparencës për konsumatorin.
Ministri Malaj theksoi gjithashtu se prej më shumë se një viti, pullat fiskale prodhohen nga kompania shtetërore ALBTrace, me një kosto rreth 20% më të ulët krahasuar me koncesionarin e mëparshëm. Sipas tij, ndryshimet e reja janë në linjë me standardet e Bashkimit Europian dhe synojnë modernizimin e sistemit të kontrollit fiskal në vend.







