Ballina Politika Nuk ndalet Ferit Hoxha: BE do ta harrojë çështjen Balluku…

Nuk ndalet Ferit Hoxha: BE do ta harrojë çështjen Balluku…

75
0

Ndërsa në Bruksel vijojnë sinjalet se çështja Balluku është shkelje e vijës së kuqe për integrimin e Shqipërisë, ç’ka është dëshmuar më së fundi edhe ditën e djeshme duke mos kaluar raporti IBAR për Shqipërinë për të disatën herë, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha duket se është karikuar nga Rama që të vijojë të këpusë mufka në mediat e huaja.

Duke folur për skandalin e lidhur me Belinda Ballukun dhe kontratat publike të qeverisë Rama, Hoxha deklaroi se Bashkimi Europian “ka kaluar në diçka tjetër”, duke lënë të kuptohet qeveria shqiptare jo vetëm që nuk ka ndërmend të luftojë korrupsionin dhe të dorëzojë të korruptuarit para drejtësisë, por po pret që çështja të harrohet nga partnerët europianë.

Deklarata të tilla nga titullari më i lartë i diplomacisë shqiptare tregojnë se angazhimi i qeverisë shqiptare për të integruar vendin në BE nuk ekziston para mbrojtjes së korrupsionit qeveritar.

Më tej gjatë intervistës, Feriti ka kopjuar edhe shefin e tij Rama duke theksuar se Europa duhet të reformohet për vete.

Më poshtë pjesë nga shkrimi në EURACTIVE

Shqipëria, kandidate për anëtarësim që prej vitit 2014, i kerkon Bashkimit Europian të reformojë sistemin e integrimit të vendeve kandidate, në mënyrë që t’u lejojë atyre të përfshihen gradualisht në programet dhe hartimin e politikave.

Ferit Hoxha argumentoi se modeli aktual i zgjerimit nuk ofron angazhim të mjaftueshëm, veçanërisht për vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë kryer reforma të brendshme ndërsa presin radhën për t’u anëtarësuar në BE.

“A mund të bëjmë më shumë? A mund të marrim pjesë në mbledhje? A mund të bëhemi pjesë e strukturave të ndryshme?”, pyeti ai, duke propozuar një proces progresiv integrimi në BE, të lidhur me reformat e kërkuara nga Brukseli.

“Kjo do ta bënte procesin më të plotë, më pjesëmarrës dhe pa dyshim do t’i përgatiste vendet kandidate për anëtarësim.”

Hoxha argumentoi se vendet “më të avancuara” në procesin e anëtarësimit, si Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit, duhet të përfitojnë nga një qasje më e madhe në proceset dhe institucionet e BE-së.

Ai këmbënguli se skandali i lidhur me parregullsitë e dyshuara në një kontratë infrastrukture publike, ku përfshihej një ish-zv.kryeministër i qeverisë Rama, tashmë ishte lënë pas.

“Kemi kaluar në diçka tjetër”, deklaroi ai, duke parashikuar se kjo nuk do të ketë efekte afatgjata mbi shpresat e vendit të tij për anëtarësim në BE.

“Sigurisht, kemi pasur diskutime të vështira me disa partnerë”, tha ai, ndërsa insistoi se askush nuk i pengon prokurorët antikorrupsion të bëjnë punën e tyre.