Pas Mereme Selës, e cila pas përjashtimit nga gara për kreun e PD-së, iu drejtua Gjykatës së Tiranë me një padi, një tjetër kërkesë për anulimin e zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike ka ardhur nga një tjetër kandidate.
Bëhet fjalë për Evi Kokalarin, e cila shpalli kandidaturën për kreun e PD-së, por emri i saj nuk është regjistruar nga ana e Komisionit Zgjedhor në PD.
Pas refuzimit të kandidimit të saj, Kokalari këtë të enjte i është drejtuar me një padi Gjykatës së Tiranës, ku kërkon pezullimin e menjëhershëm të zgjedhjeve dhe çdo vendim tjetër të marrë këto kohë.
“Padia kundër Sali Berishas është depozituar tashmë dhe është caktuar dhe gjykatësi përkatës.
Masat e kërkuara paraprakisht i gjeni më poshtë”, shkruan Kokalari.
Kujtojmë që në zgjedhjet për kreun e PD-së, ishin disa kandidatë që kërkuan të bëhen pjesë e garës për të drejtuar partinë më të madhe të opozitës.
Por, Ervin Salianji, Mereme Sela, Alesia Balliu apo Evi Kokalarit, iu refuzua kandidimi, teksa emri i vetëm që demokratët do të votojnë në zgjedhjet e 23 majit është Sali Berisha.








