Ballina Sport Fernandes: Rice ishte lojtari ideal për Manchester Unitedin

Fernandes: Rice ishte lojtari ideal për Manchester Unitedin

50
0

Kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, ka pranuar se kishte dëshiruar shumë që mesfushori anglez Declan Rice t’i bashkohej klubit nga “Old Trafford”.

Mesfushori portugez, i cili po kalon një sezon fantastik në aspektin individual, deklaroi se ishte zhgënjyer kur Rice vendosi të transferohej te Arsenal në vitin 2023.

“Gjithmonë kam thënë se Rice ishte lojtar për Manchester Unitedin. U mërzita shumë kur zgjodhi Arsenalin. Gjithmonë kam menduar se ai do të ishte përshtatje perfekte për klubin tonë”, deklaroi Fernandes në një intervistë për “Joel Baya”.

Rice iu bashkua Arsenalit nga Ëest Ham United për rreth 105 milionë funte, duke u bërë një nga transferimet më të shtrenjta në historinë e futbollit anglez.

Sipas raportimeve, Manchester United kishte shfaqur interes për reprezentuesin anglez që në vitin 2021, kur në krye të skuadrës ishte Ole Gunnar Solskjær.

Vetë ish-trajneri norvegjez kishte pranuar më herët se kishte pasur diskutime për transferimin e Rice, por marrëveshja nuk u realizua dhe klubi anglez më pas transferoi mbrojtësin Raphaël Varane.

Ndërkohë, Fernandes po vazhdon të shkëlqejë me fanellën e Manchester Unitedit këtë sezon. 31-vjeçari është vetëm një asist larg rekordit të Premier League për më së shumti asistime në një sezon, rekord që mbahet nga Thierry Henry dhe Kevin De Bruyne me nga 21 asistime.

Përveç kreativitetit të jashtëzakonshëm, Fernandes ka realizuar edhe tetë gola, duke arritur në total 29 kontribute direkte në gola në elitën e futbollit anglez këtë edicion.