Ballina Aktualitet Pallatet e Alabbarit dhe Ramës u fundosën nga babëzia/ Kompania nënkontraktoi ndërtimin...

Pallatet e Alabbarit dhe Ramës u fundosën nga babëzia/ Kompania nënkontraktoi ndërtimin me çmime si Rindërtimi

102
0

Kur qeveria shqiptare miratoi projektin kontrovers të Marinës në Durrës, kompania arabe Eagle Hills nisi menjëherë të kontaktonte kompani shqiptare ndërtimi për nënkontraktim. Por thuajse të gjitha kompanitë serioze u larguan me vrap kur dëgjuan propozimet e kompanisë së Alabbar.

Arsyeja ishte çmimi me të cilin kompania kërkonte të nënkontraktonte ndërtimet. Menaxherët e Alabbar u ofruan kompanive ndërtuese një çmim që varionte nga 400-450 euro për metër katrorë, njësoj si çmimet e rindërtimit, ku pallatet nuk kishin as luksin dhe as kompleksitetin e kullave që pretendonte të ndërtonte Eagle Hills në Marinën e Durrësit.

Në fund, propozimet u pranuan nga disa kompani të dorës së dytë, të cilat e kishin të qartë se me ato çmime do të duhej që të çedonin me patjetër në cilësinë e ndërtimeve. Paralelisht me këtë, në projekt nisi shpërndarja e kontratave tek njerëz të afërt me pushtetin, nga supervizimi dhe deri tek kontrolli i cilësisë.

Nuk zgjati shumë dhe tahmaja e madhe bashkë me korrupsionin e bënë qederin. Dy nga godinat e Marinës u fundosën deri në rreth 30 centimetër për shkak të kursimit tek pllaka e betonit dhe pilotat që duhet të përforconin tokën e paqëndrueshme në rërë, ndërkohë që shqetësim mbeten edhe objektet e tjera.

Ai që u propagandua si projekti që do të ndryshonte imazhin turistik të Shqipërisë duke e ngjitur atë në një nivel botëror, rezultoi një fiasko me godina që zhyten. Tashmë kompania ka filluar punën për të korrigjuar defektet, përmes injeksionit për ngrirjen e tokës dhe përforcimit të pilotave për të ndaluar zhytjen e objekteve.

Kjo do të rrisë ndjeshëm koston e ndërtimit, por ndërkohë nuk e heq dot plotësisht dëmin e madh reputacional që ka pësuar projekti. Tashmë qytetarët kanë gjithë të drejtën ta konsiderojnë çmenduri blerjen e pronave me çmime që shkojnë deri në tre mijë euro për metër në ndërtesa që fundoset.

Marina e Durrësit u fundos nga babëzia e investitorit strategjik, i cili në planin e biznesit ka programuar 60 milionë euro për marketing, por ndërkohë kursen tek betoni dhe hekuri.

Kjo është fatura e babëzisë, por ndërkohë dëmi është tek qytetarët që kanë blerë pronat dhe tek buxheti publik, pasi qeveria është aksionere në projekt. Tashmë i takon organeve të drejtësisë, që të nxjerrin përgjegjësitë nga projektuesit, ndërtuesit, supervizorët e deri tek ata që çertifikuan cilësinë e ndërtimit.

Ndërkohë projekti kontrovers ku qeveria u investua aq shumë tashmë ka marrë përgjithmonë një njollë të madhe./Kapital