Qeveria ka miratuar disa ndryshime në procedurat për përzgjedhjen e zhvilluesve në zonat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, duke ndryshuar mënyrën e miratimit të kontratave dhe përdorimit të pronave shtetërore për këto zona.
Ndryshimet prekin si procedurat e negocimit dhe miratimit të kontratave, ashtu edhe mënyrën e dhënies në përdorim të pasurive shtetërore. Deri më tani, miratimi i zhvilluesit dhe kontratës bëhej me vendim të Këshillit të Ministrave. Me ndryshimet e reja, kjo kompetencë kalon te ministri përgjegjës për ekonominë, i cili do të miratojë kontratën pas përfundimit të negocimit dhe vetëm pasi të jenë marrë paraprakisht mendimet e Avokaturës së Shtetit dhe institucioneve të përfshira në zbatimin e saj.
Ky ndryshim konsiderohet me rëndësi, pasi fut për herë të parë detyrimin për përfshirjen formale të Avokaturës së Shtetit në procesin e shqyrtimit të kontratave për zonat teknologjike dhe ekonomike, duke synuar rritjen e kontrollit ligjor dhe institucional mbi marrëveshjet.
Vendimi sjell gjithashtu një ndryshim tjetër të rëndësishëm për pronat shtetërore që përdoren në këto zona. Përmes shtesës së nenit të ri 20/1, përcaktohet se pasuritë e paluajtshme shtetërore që përdoren për krijimin e zonave teknologjike do t’i jepen zhvilluesit me kontratë qiraje. Kontrata do të bazohet në një model standard (“tip”).
Sipas dispozitave të reja, miratimi i kësaj kontrate qiraje do të kryhet nga ministri përgjegjës për ekonominë, pasi të jetë marrë informacion paraprak nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës për statusin e pronës, sipërfaqen dhe dokumentacionin kadastral, si edhe mendimi i institucionit që administron pronën shtetërore.
Në kontratën tip të përfshirë në vendim përcaktohet se prona shtetërore mund të jepet me “qira 1 euro” për zhvillimin e zonave teknologjike dhe ekonomike. Kontrata parashikon të drejtat e përdorimit për zhvilluesin, por edhe detyrime për mirëmbajtjen e pronës, sigurimin e saj, marrjen e lejeve ndërtimore dhe mjedisore, si edhe ndalimin e vendosjes së barrëve mbi pronën shtetërore.
Ndryshime janë bërë edhe në procedurat e negocimit. Afati për përfundimin e negocimit të kontratës është përcaktuar deri në 90 ditë nga publikimi i njoftimit të fituesit ose nga njoftimi përkatës për procedurat e tjera të përzgjedhjes.
Po ashtu, janë hequr disa referenca që lidhnin shpalljen e zonës drejtpërdrejt me zhvilluesin, si edhe detyrimi që genplani të konfirmohej nga bashkia ku ndodhet territori i zonës.
Këto ndryshime vijnë në një moment kur qeveria po synon të nxisë investimet në zonat teknologjike dhe zhvillimit ekonomik, të cilat konsiderohen instrument për tërheqjen e investimeve strategjike, zhvillimin industrial dhe aktivitetet teknologjike. /ekofin.al







