Ballina Ekonomia “Paqja Fiskale”, aplikimet elektronikisht deri në 5 qershor, më pas refuzohen

“Paqja Fiskale”, aplikimet elektronikisht deri në 5 qershor, më pas refuzohen

76
0

Administrata Tatimore ka përcaktuar afatet dhe procedurat për aplikimin në kuadër të marrëveshjes së paqes fiskale për vitin tatimor 2026, duke hapur zyrtarisht procesin për subjektet që synojnë të përfitojnë nga skema e rideklarimit dhe rregullimit të detyrimeve tatimore. Sipas udhëzimit të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, aplikimet do të pranohen elektronikisht nga data 15 maj deri më 5 qershor 2026, ndërsa çdo kërkesë e paraqitur pas këtij afati do të refuzohet automatikisht.

Udhëzimi vjen në zbatim të ligjit nr. 84/2025 “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale” dhe synon të sqarojë procedurat konkrete që duhet të ndjekin tatimpaguesit gjatë vitit të parë të zbatimit të kësaj skeme. Dokumenti përcakton se aplikimi kryhet përmes sistemit e-filing, në rubrikën “Çështjet e mia” – “Pyetje e përgjithshme”, duke ngarkuar formularin përkatës të aplikimit për marrëveshjen e paqes fiskale.

Në rast se administrata konstaton mungesë dokumentacioni apo pasaktësi në të dhënat e deklaruara, tatimpaguesi do të ketë vetëm 3 ditë pune kohë për plotësim, përndryshe aplikimi refuzohet. Ndërkohë, administrata tatimore duhet të japë përgjigje mbi pranimin ose jo të kërkesës brenda 5 ditëve kalendarike dhe jo më vonë se data 10 qershor 2026.

Pas miratimit të kërkesës, marrëveshja e paqes fiskale nënshkruhet nga drejtoria rajonale tatimore përkatëse dhe më pas duhet të firmoset edhe nga vetë tatimpaguesi, i cili ka afat deri më 15 qershor për ta dorëzuar dokumentin e nënshkruar në sistemin elektronik.

Udhëzimi sqaron gjithashtu se subjektet që do të rideklarojnë pasqyrat financiare për vitet 2023, 2024 apo 2025 duhet, deri më 30 qershor 2026, të kryejnë pagesën e tatimit sipas ligjit të paqes fiskale, të dorëzojnë formularët përkatës për rideklarimin e elementëve të aktiveve dhe detyrimeve, si edhe të paraqesin pasqyrat financiare të korrigjuara në format PDF dhe Excel.

Administrata Tatimore paralajmëron se për çdo ndryshim të bërë në pasqyrat financiare do të kërkohen sqarime të detajuara në përputhje me legjislacionin e kontabilitetit dhe rezervon të drejtën për të kërkuar informacion shtesë mbi deklarimet e kryera.

Ky proces konsiderohet si një nga mekanizmat më të rëndësishëm të formalizimit fiskal për vitin 2026, pasi u jep mundësi bizneseve dhe individëve të korrigjojnë deklarimet e mëparshme financiare dhe tatimore, kundrejt pagesës së detyrimeve sipas kushteve të përcaktuara në ligj.