Andrej Çilergjiq është peshkop i Kishës Ortodoske Serbe dhe si i tillë përgjegjës për serbët ortodoksë me banim në Zvicër. Çilergjiq, i lindur në Gjermani, është rritur mes botës gjermane dhe asaj serbe.
Në Deçan është shuguruar si murg dhe është arsimuar në Seminarin Teologjik të Prizrenit. Dikur ka qenë vikar (ndihmës) i Patriarkut Pavle. Ndonëse jeton në Zvicër, Andrej Çilergjiq viziton shpesh Kosovën, siç ka treguar ai në një intervistë me portalin “Kossev”.
“Për mua kjo nuk është aspak problem: të vij rregullisht me avion nga Zürichu në Prishtinë dhe t’i vizitoj manastiret tona, kishat tona, varrezat tona, dinjitarët tanë kishtarë, peshkopin tonë Teodosije… dhe, nëse mundem, të vizitoj edhe ndonjë ambasadë, përfaqësues të trupit diplomatik, në mënyrë që nga ana ime të ndihmoj që pasqyra e gjendjes së serbëve të paraqitet gjithmonë në dritën e vërtetë dhe të vihet në pah nevoja për përmirësimin e mirëqenies së popullit tonë serb në këto hapësira”, tha Çilergjiq.
Në intervistë për “Kossev” Çilergjiq u ankua se i pengon diçka kur aterron në Prishtinë.
“Gjëja tjetër që, sinqerisht duhet ta them, më pengon, është fakti që ai aeroport quhet Adem Jashari. Kam lexuar diçka për këtë dhe madje edhe në qarqet perëndimore e gjithë çështja rreth Adem Jasharit nuk është krejtësisht e qartë dhe shtrohet pyetja e madhe nëse ai e meriton atë emër, duke pasur parasysh atë që qëndron pas figurës së tij, që aeroporti ta mbajë emrin e tij”.
Në pyetjen nëse e di që figura dhe vepra e Jasharit janë të padiskutueshme për shqiptarët, peshkopi serb nga Zvicra përgjigjet me një kundërpyetje: “Po si mendoni ju se jam ndier unë në vitin 1980 kur erdha në Beograd, e dëgjoja nga fqinjët e mi, nga njerëzit më të afërt, se Tito ishte babai i kombit tonë? Nuk mund ta gënjejmë njëri-tjetrin. Gjithçka që po ndodh sot janë pasoja”.
Ai shton se është i vetëdijshëm “se ku ndodhemi” dhe se tani nuk ka më kthim prapa – “por çfarë do të ndodhë pas 20 vjetësh, këtë nuk e dimë”.
Në këtë intervistë vlladika Çilergjiq nuk flet për krimet serbe gjatë viteve 1990-të në Ballkan, as për masakrën ndaj familjes Jashari.
Për bashkësinë ndërkombëtare ai ka këtë porosi: “Jam i zhgënjyer me qasjen ndaj serbëve, sepse populli ynë në shekullin e 20-të barti një kryq të madh dhe vuajtje të mëdha; u sulmua, u pushtua dhe u tërhoq në konflikte e luftë civile. Mendoj se bashkësia ndërkombëtare nuk e ka pasur këtë mjaftueshëm parasysh, ndërsa sot anon në mënyrë të njëanshme në anën e njërës palë – kjo mua nuk më pëlqen dhe nuk mund të sjellë një të ardhme të drejtë”.
Pretendimi i vlladikës Çilergjiq se populli serb “u tërhoq në konflikte e luftë civile” është larg realitetit kur të merret parasysh se në vitet 1990-të nacionalizmi serbomadh ka ndezur 4 luftëra nga Ballkan (Slloveni, Kroaci, Bosnjë, Kosovë).







