Ballina Rajoni Skandali i përgjimeve të politikanëve dhe gazetarëve në Greqi, kryeprokurori Tzavelas refuzon...

Skandali i përgjimeve të politikanëve dhe gazetarëve në Greqi, kryeprokurori Tzavelas refuzon të rihapë çështjen dhe të japë shpjegime në Parlament

30
0

Prokurori i Përgjithshëm i Gjykatës së Lartë në Greqi, Konstantinos Tzavellas, pritet të refuzojë paraqitjen në Parlament për të dhënë shpjegime mbi vendimin e tij për të mos rihapur hetimet për përgjimet e zbuluara në vitin 2022, kur telefonat e politikanëve, gazetarëve dhe biznesmenëve u infektuan me programin spiun Predator

Sipas mediave greke, Tzavellas do t’i dërgojë një letër Komisionit për Institucionet dhe Transparencën, ku do të argumentojë se paraqitja e një zyrtari të drejtësisë në Parlament për të komentuar një vendim gjyqësor bie ndesh me Kushtetutën dhe parimin e ndarjes së pushteteve.

Ai ishte thirrur së bashku me kreun e shërbimit sekret grek EYP, Themistoklis Demiris, në mbledhjen e 20 majit, pas kërkesës së partive opozitare. Debati lidhet me vendimin e Tzavellas në prill për të mos rihapur çështjen e arkivuar me argumentin se provat e reja të paraqitura në një gjykatë më të ulët nuk përbëjnë element të ri hetimor.

Në shkurt, një gjykatë greke dënoi me burg katër biznesmenë të lidhur me kompaninë izraelite  “Intellexa” dhe urdhëroi nisjen e pesë hetimeve të reja mbi skandalin, përfshirë dyshime për spiunazh. Nuk është hera e parë që drejtues të lartë të drejtësisë në Greqi refuzojnë kërkesat parlamentare për të dëshmuar mbi skandalin e përgjimeve.

Në fund të prillit, Dhoma e Avokatëve të Athinës kërkoi dorëheqjen e kryeprokurorit, me një vendim të mori shumicë votash, duke e akuzuar për devijim institucional. Çështja lidhet me një nga skandalet më të mëdha të viteve të fundit në Greqi, ku në vitin 2022 u zbulua se disa figura publike ishin përgjuar përmes një programi të sofistikuar që lejon kontroll të plotë të komunikimeve.

Mes personave që pretendojnë se janë përgjuar është edhe lideri i PASOK, Nikos Androulakis, i cili ka reaguar duke kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar pas vendimit për të mos rihapur çështjen. Opozita në Greqi akuzon qeverinë e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis për përfshirje në përgjime përmes shërbimeve inteligjente, ndërsa qeveria i mohon këto akuza dhe këmbëngul se nuk ka lidhje me programin “Predator”.