“Vajze e ëmbël, e qeshur, shumë zemërgjerë, një vajzë që prekej nga fjalët, që kishte një dashuri të madhe për ish-bashkëshortin. Dhe kjo dashuri e mbante, sikur jetonte për të. Por nuk ju kthye kurrë ajo dashuri, nuk ju kthye kurrë. Ishte një yll që lindi në dashuri por u fik në dhunë”.
Kështu është shprehur motra e Xhuana Nikollit për të renë që i dha fund jetës duke konsumuar fotoksinë pas dhunës së ushtruar nga ish bashkëshorti i saj Eraldo Fizi.
Por vetëvrasja e Xhuanës në kushtet e tronditjes së fortë psiqike mbart me vete një mister të madh.
Që edhe sot është veshur nga një tis mjegulle. Atë të shumë pikëpyetjeve të rrethanave në të cilat e reja i dha fund jetës.
Xhuana dhe Eraldo të cilët ishin lidhur në martesë më datë 9 Qershor 2025. Njohja e tyre që kishte nisur në bankat e gjimnazit.Xhuana e cila kishte përfunduar studimet në drejtësi, ndërsa Eraldo e kishte mbyllur ciklin e tij të studimeve me ato të gjimnazit. Martesë e cila zgjati vetëm 3 muaj. Që është ende e vështirë për të zbuluar se çfarë çoi në krizën e tyre.
Aq sa në muajin nëntor, Xhuana mori vendimin për të lënë banesën bashkëshortore në Lezhë dhe të zhvendosej fillimisht në Tiranë, te një nga motrat e saj që jetonte në kryeqytet.
Dhe më pas të jetonte në një apartament të marrë me qira, të cilën e ndante me një shoqen e saj.
Shoqe e cila sipas Marjanës, motrës së Xhuanës, ishte e pranishme edhe në spital në momentet e fundit të jetës së saj.
Por që askush nuk di të thotë se cila është dëshmia e saj rreth orëve të fundit të Xhuanës.
Nëse ajo ka qenë apo jo e pranishme gjatë dhunës së Eraldo ka shkaktuar ndaj Xhuanës. Ku ishte ajo mbrëmjen e datës 9 mars, kur Xhuana vendosi t’i japë fund jetës.
Pra shumë pyetje të cilat me përgjigjen e tyre mund të hidhnin sadopak dritë mbi atë që ndodhi me Xhuanën.
Eraldo Fizi i cili është shpallur në kërkim që nga data 10 Mars, në akuzën ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Shkaktim i vetëvrasjes’, por që edhe deri në ndërtimin e këtij dokumentari, ai vazhdon të jetë në liri.
“Motra ime dhe mami aty kemi pas kontaktin e fundit me të që ka dhënë deklaratën për ngjarjen e Xhuanës. Tani vetëm ia kemi lënë autoriteteve në dorë që ta marrin në pyetje sërish, si ka ndodh ngjarja, të ballafaqohen mendimet”, tregon motra e Xhuanës.
Por një nga misteret që i mbetet hetimit për të zbuluar është edhe si Xhuana e siguroi fotoksinën. Nëse ajo e ka blerë vetë në një farmaci bujqësore, apo duhet t’i besojmë një skenari më të errët. Që mund të ketë qenë e detyruar ta konsumojë. Ashtu siç nuk duhet nënvlerësuar gjatë hetimit edhe vërtetësia e letrës që ajo ka lënë për familjarët e saj. Po kështu nëse atë mbrëmje që Xhuana është dhunuar nga Eraldo, ky i fundit ka qenë i vetëm në banesë me të, apo aty ka pasur edhe persona të tjerë, që mund të kenë qenë familjarë të tij. Sikurse duhen parë edhe kamerat e sigurisë në ambientin pranë pallatit të marrë me qira nga Xhuana. Lidhur mbi lëvizjet e fundit të Eraldo Fizit apo edhe të personave të tjerë të cilët nund ta kenë shoqëruar si edhe tabulatet e tij telefonike, për të parë qelizat e tij të telefonit dhe zonat ku ai ka lëvizur.
Gjetje të cilat mund të japin një panoramë më të qartë të asaj se çfarë ka ndodhur atë mbrëmje kur Xhuana Nikollaj, vendosi t’i japë fund jetës. Por edhe përpara kësaj date. Por që mund të çonin edhe në një zbardhje më të plotë të ngjarjes.
Ndërkohë që nga aktet e ekspertimit të Mjekësisë Ligjore rezultoi se shkaku i vdekjes ka ardhur si pasojë e konsumimit të fotoksinës, ku gjithashtu janë konstatuar edhe shenja dhune në trupin e saj.
“Ne nuk e dimë ku e ka blerë, kush e ka marrë. Këtë pyetje kam bërë dhe unë dhe e kam shtruar. Një vajzë e re t’i shitet një fotoksinë. Të ketë kaq shumë lehtësi të shitet pas asnjë lloj certifikimi. Sepse duhet të jenë persona të autorizuar që ta blejnë dhe që kanë një biznes të madh sepse përdoret në uzina, në fabrika. Duhet të ketë një licencë ku duhet ta çoj, si duhet ta përdor, jo njerëz të thjeshtë. Kështu shumë vajza mund ta marrin lehtësisht. Po ku është shoqëria jonë, pse lejohet të shitet”, shprehet motra Marjana Kalaj. Rasti i Xhuanës nuk është vetëm një dhimbje e madhe vetëm për familjen e saj, por edhe një kambanë alarmi për shoqërinë.
Shoqëri e cila ka ende nevojë për emancipim. Dhe për të kuptuar që vajzat, nënat, gratë, nuk janë pronë e askujt. Por duhen mbrojtur nga çdo akt dhune, i kujtdo qoftë. Sepse askush nuk meriton të humbasë jetën nga dhuna e bashkëshortit, apo një familjari. Ndërkohë që për familjen e Xhuanës tashmë ato që kanë mbetur janë fotot dhe kujtimet e saj. Me të cilat zgjohen dhe flejnë çdo ditë.
“Kur ishim të katërta bashkë qeshnin me njëra- tjetrën në oborrin e shtëpisë sonë.
Xhuana gjithmonë përveçse motër e kam pas edhe si vajzë. Rrinte me çunin tim, lozte me të. Nuk e kanë ndarë as fëmijët e mi. Nuk di si t’u them dhe fëmijëve të mi, se ku është tezja. Sepse për ne është traumë që nuk e pranojmë, vetë jo, pastaj dhe fëmijët. Vetëm idea kush ia bëri këtë gjë, nuk kemi fjalë. Ne flejmë me fotot e Xhuanës. Prindërit e mi nuk rrinë të qetë nga idea pse ia morën jetën vajzës së saj. Pse ai e dhunoi motrën tonë. Ai mund të rrijë shumë i qetë, mund të jetojë në një vend tjetër jashtë Shqipërisë, mund të kalojnë vitet por prindi e ka mendjen aty, pse ai nuk po paguan për atë çfarë ka bërë”, shprehet motra.
Gjatë rrëfimit të saj Marjana, thotë se Xhuana nuk e njihte dhunën. Pasi në familjen e tyre dhuna ishte një fjalë e huaj. Dhe jo më ta mendonte se ajo mund të ishte vetë pre e dhunës psikologjike dhe fizike. Atë dhunë që e çoi edhe drejt aktit të fundit tragjik, të dhënies fund të jetës. Një humbje të cilën Marjana edhe sot e ka të vështirë ta besoj, se kush është personi që e shkaktoi.
“Në atë moshë që ishte motra ime ajo nuk ishte rritur kurrë në asnjë lloj dhune në familjen tonë. Kemi pasur gjithmonë harmoni, respekt. Prindërit tanë gjithmonë kanë sakrifikuar dhe veten e tyre për ne. Kanë privuar veten që Xhuana dhe të gjitha ne të marrim shkollën. Të kemi një jetë më të mirë. Prindërit, kurrë s’na kanë bërtitur dhe kur e kam parë motrën time në atë gjendje, kam thënë ‘mos çfarë paska bërë”, thotë ajo.
E vetmja lutje që Marjana dhe familja e saj tashmë kanë është ajo drejtuar autoriteteve ligjzbatuese. Lutje që lidhet me arrestimin sa më të shpejtë të Eraldo Fizit, si personi përgjegjës për shkaktimin e vdekjes së njeriut të tyre të afërt. Dhe vendosjen e tij përpara drejtësisë. Si i vetmi ngushëllim që mund të qetësojë sadopak shpirtrat e tyre. Por edhe të vetë Xhuanës, që meriton drejtësi.
“Dhimbje shumë e madhe sa gjithmonë e më shumë mendoj se kjo plagë nuk do shërohet kurrë.
Por do të doja edhe një ndihmë nga institucionet, që Eraldo Fizi të marrë dënimin e merituar…
Uroj me gjithë zemër që drejtësia të fumksionojë për të gjithë femrat, për nënat, për gratë, për gjithë ato vajza që ndihen në vështirësi. Shpresoj të mos shkojnë deri në aktin e fundit, por t’i drejtohen drejtësisë dhe të marrin një zgjidhje dhe të mos pranojnë asnjë lloj dhune”, shprehet Marjana.
Në fund Marjana, motra e Xhuanës i drejtohet edhe me dy fjalë Eraldos, që me siguri do ta shikojë këtë rrëfim të saj nëpërmjet këtij dokumentari. Janë dy fjalë të cilët ajo do tia thoshte edhe në sy nëse do ta kishte përballë. Dhe që ai nëse do të ishte ai burri i denjë që dashuroi motra e saj, duhet të kishte të njëjtën burrëri të mos fshihej, por të dilte përballë dhe të përgjigjej për humbjen e jetës së njeriut me të cilën ndau 7 vite të jetës së tij.
“Pse e dhunove motrën tonë. Pse ia bëre këtë gjë. Ajo nuk e meritonte atë vuajtje, nuk e meritonte atë dhunë barbare. Ajo meritonte të jetonte, të ishte e lumtur. Të kapet sa më shpejt autori dhe të vendoset para drejtësisë. Ne nuk duhet t’i lejmë gjërat në harresë. Ne kemi frikë se rasti i Xhuanës do harrohet. Eraldo kudo që të fshihesh një ditë do dalësh dhe do paguash për atë dhunë fizike. Të ndalohet me çdo kusht që çdo vajzë të ndjejë jetën e saj, jetë e lumtur siç ajo do të donte dhe jo të jetë e privuar nga burri, ish-burri ose një tjetër që nuk e lë të qetë”, shprehet ajo.







