Hetimet për zjarrin që shkrumboi tregun e fruta-perimeve në Lushnjë kanë çuar në identifikimin e tre shtetasve si autorë të dyshuar të zjarrvënies.
Burime nga Komisariati i Policisë Lushnjë konfirmojnë se tre personat janë shpallur në kërkim, ndërsa vijojnë hetimet për kapjen e tyre.
Këqyrja e kamerave të sigurisë pranë tregut ka ndihmuar në zbardhjen e dinamikës së ngjarjes. Sipas hetuesve, tre shtetas janë afruar në pjesën e pasme të tregut dhe më pas kanë hyrë brenda ambienteve të tij.
Pas këtij momenti nuk ka pamje filmike të drejtpërdrejta të zjarrvënies, pasi tendat e vendosura nga tregtarët mbi tezga kanë penguar fushën e vëzhgimit të kamerave në atë pjesë të tregut. Megjithatë, kamerat e jashtme kanë regjistruar fillimisht dalje tymi dhe më pas flakët, vetëm pak minuta pas hyrjes së tre personave në treg.
Grupi hetimor dhe inspektorët vijojnë punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Ndërkohë, Bashkia e Lushnjës po përgatit një projektvendim për kompensimin e dëmeve të tregtarëve, i cili pritet të paraqitet në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak.
Zjarri që përfshiu tregun publik të Lushnjës shkrumboi pothuajse të gjithë strukturën dhe produktet e depozituara në tezgat e të paktën 25 tregtarëve. Deri tani nuk ka të dhëna zyrtare mbi motivin e zjarrvënies. Tregu frekuentohet nga rreth 150 tregtarë, të cilët do ta ushtrojnë aktivitetin e tyre në rrugën pranë tregut deri në riparimin e strukturës së dëmtuar.







