Ballina Politika Evi Kokalari kallëzim në SPAK kundër Berishës dhe familjarëve të tij: PD...

Evi Kokalari kallëzim në SPAK kundër Berishës dhe familjarëve të tij: PD është marrë peng

87
0

Evi Kokalari ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal në SPAK kundër Sali Berishës, Shkëlzen Berishës, Argita Malltezit, Albana Vokshit dhe disa personave të tjerë, të cilët i akuzon për “marrjen peng” të Partisë Demokratike dhe përdorimin e saj për interesa personale. Në një postim në rrjetet sociale, Kokalari thotë se ka shpjeguar në detaje mënyrën se si, sipas saj, PD u kontrollua pas Kuvendit të 30 prillit 2022, ndërsa paralelisht ka ndërmarrë edhe hapa ligjorë e politikë në gjykatë, pranë SPAK-ut, DASH-it dhe zyrtarëve të Partisë Popullore Europiane.

Postimi i plotë i Evi Kokalarit:

Sot në mëngjes kam bërë kallëzim penal në SPAK për marrjen peng të Partisë Demokratike nga familja Berisha dhe rrethi i tij, për arsye të qarta korrupsioni dhe për t’u përdorur si mburojë kundër vetë SPAK-ut.

Kallëzimi është kundër:Sali Berishës, Shkëlzen Berishës, Argita Malltezit, Albana Vokshit dhe disa të tjerë.

Kam shpjeguar në detaje se si u mor peng Partia Demokratike nga Kuvendi i 30 Prillit 2022 dhe si është përdorur për interesat personale të tyre.

Jam në dispozicion të plotë të SPAK-ut për këtë çështje, si dhe për çdo çështje tjetër ku prokurorët e shohin të arsyeshme që unë mund t’ju nevojitem.

Si e tillë, deri më sot kam marrë këto hapa:

1 – Kallëzim penal në SPAK

2 – Padi civile me kërkesë për masë sigurimi, tashmë e pranuar nga Gjykata (kërkohet pezullimi i Kuvendit të 23 Majit)

3 – Denoncim të detajuar pranë zyrës së Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe zyrtarëve të tjerë të lartë amerikanë

4 – Email-update për zyrtarë të lartë të EPP-së

Për sa i përket Shqipërisë, me ndihmën e SPAK-ut dhe të Gjykatës, si dhe me mbështetjen nga jashtë të DASH-it dhe EPP-së, do ta izolojmë këtë kancer që ka pushtuar opozitën dhe, si pasojë, të gjithë politikën shqiptare.