Nga Taulanda Jupi
Partinë Demokratike nuk po e vret vetëm Sali Berisha. E vrasin ata që heshtin. Ata që e dinë, e shohin humnerën dhe megjithatë zgjedhin të legjitimojnë gënjeshtrën e madhe: “Është referendum!”
Sot, në Partinë Demokratike nuk po mbështetet një projekt politik për të ardhmen, por në rrjesht po votohet për të ruajtur status -quon, po konfirmojnë mungesën e moralit politik, karakterit duke zgjedhur heshtjen kolektive dhe mbijetesën personale. Kjo është arsyeja pse partia po tkurret gjithnjë e më shumë, jo vetëm politikisht, por mbi të gjitha moralisht.
Si mund të kërkosh besimin e qytetarëve për të mbrojtur demokracinë, kur nuk arrin ta ndërtosh demokracinë së pari brenda partisë tënde?
Si mund të flasësh për farsë elektorale, për mbrojtjen e votës, kur proceset e brendshme janë të kontrolluara, pa garë reale dhe me vendime të paracaktuara?
Si mund të ndërtosh institucione meritokratike për Shqipërinë, kur brenda vetes shpërblen më shumë bindjen e verbër, servilizmin dhe jo meritën, aftësinë dhe punën?
Si mund të premtosh transparencë në qeverisje, kur transparenca brenda partisë trajtohet si kërcënim dhe jo si standard?
Një parti nuk vdes kur humb zgjedhjet. Përkundrazi, ajo mund të ringrihet edhe pas humbjeve të rënda, kur ka vizion, kur ka kauzë dhe kur ka guxim të përballet me gabimet e saj.
Por një parti fillon të vdesë politikisht kur nuk jeton dot përtej një emri, kur identiteti i saj njehsohet me fatin e një individi, kur humbet aftësinë për t’u rinovuar, rigjeneruar, për të prodhuar ide dhe vizion që ndërtojnë dhe mbjellin BESIM.
Partia Demokratike nuk po shembet vetëm nga Sali Berisha, një “kryetar” që refuzon të largohet, me gjithë humjet dhe dështimet, një kryetar që shkel çdo nen dhe çdo normë e statutore të funksionimit të partisë, një kryetar i shpallur “ nongrata” nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, i izoluar nga çdo faktor real ndërkombëtar.
Partia Demokratike po rrënohet nga mungesa e moralit politik tek ata që zgjedhin pragmatizmin personal mbi të vërtetën, mandatin dhe karrieren mbi parimet dhe heshtjen mbi përgjegjësinë publike.
Partia Demokratike po rrënohet nga ata që heshtin, që legjitimojnë këto procese, që bëjnë llogari e zgjedhin të jenë deputetë a çdo gjë tjetër në një parti që humbet me Sali Berishën në krye, një parti që vdes politikisht çdo ditë pak nga pak, sesa të jenë njerëz të lirë në një parti që mund të fitojë.
Për fat të keq koha po na jep të drejtë. Kam shpresuar që kjo kohë të mos ishte vonë për Partinë Demokratike, por mesa duket kjo parti nuk do të shpëtojë kurrë nga hija e kërrusur e Sali Berishës.







