Nga Red Varaku
Nuk ka dyshim qe zgjedhjet lokale të 9 majit 2027 janë shumë më tepër sesa një garë për bashkitë. Ato janë një test i fortë politik për raportin mes establishmentit që ka kontrolluar politikën shqiptare për dekada dhe një shoqërie, e cila është zgjuar dhe nuk e pranon më atë.
Pavarësisht se Partitë tradicionale do të përpiqen ta rikthejnë debatin në terrenin që njohin më mirë, kandidatët, koalicionet, makinerinë elektorale dhe konfliktin e përhershëm, zgjedhjet e 9 majit janë deri në fund një REFERENDUM për vetë sistemin politik.
Në këto kushte katër janë skenarët që do të përcaktojnë këto zgjedhje.
E para është dalja e një alternative të re qytetare.Nē këtë skenar “Protesta” arrin të prodhojë kandidatura dhe struktura të reja, të cilat nuk identifikohen me establishmentin apo marrëveshjet e vjetra politike. Kjo do të ishte sfida më serioze për establishmentin, sepse në këtë rast ai nuk do të përballej thjesht me një rival të ri, por me një mënyrë tjetër të organizimit të pushtetit.
Skenari i dytë ështè ai ku establishmenti rimerr situatën nën kontroll. Në këtë skenar partitë tradicionale ia dalin dhe arrijnë ta absorbojnë krizën. Protesta mbetet jashtë zgjedhjeve, ndërsa pakënaqësia ndahet mes kandidatëve, partive të vogla dhe bojkotit.
Kështu sistemi fiton kohë dhe e rifut konfliktin në përplasjen e zakonshme elektorale. Në këtë skenar, establishmenti nuk ka nevojë të fitojë zemrat e qytetarëve në mënyre që të ketë një fitore politike, sepse i mjafton të ruajë kontrollin mbi vetë mekanizmin e sistemit.
Ndërsa skenari i tretë lidhet me fragmentimin e votës dhe fitoren e sistemit. Ky është skenari ku pakënaqësia është e madhe, por nuk arrin të krijojë një organizim të përbashkët. Kandidaturat e reja përplasen me njëra-tjetrën, ndërkaq partitë tradicionale ruajnë bazat e tyre, për pasojë vota anti-establishment përçahet dhe shpërndahet. Në këtë rast, sistemi mund të fitojë pavarësisht humbjes së besimit, vetēm se ai fiton për shkak të mungesës së alternativës, jo për shkak të rikthimit të besimit dhe mbështetjes.
Skenari i katërt është ai i refuzimit të marrjes pjesë në zgjedhje, pa u realizuar pesë pikat. Ky është një skenar i cili është dhe më radikali. Protesta nuk hyn në zgjedhje me idenë e përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës deri në zgjedhje të parakohshme lokale dhe politike pas plotësimit të pesë pikave. Në këtë skenar establishmenti fiton zgjedhjet, por rrezikon të përballet me një dallgë edhe më të madhe protestash sepse kriza mbetet e aty edhe më e thellë.
Thënë kjo 9 maji 2027 shënjon një moment shumë më të rëndësishëm, sesa një zhvillim i zakonshëm politik. Ai është momenti kur do të testohet nëse establishmenti shqiptar është ende në gjendje ta kontrollojë pakënaqësinë shoqërore, duke e rifutur atë brenda strukturave të veta, apo nëse shoqëria ka gjetur tashmë dhe një rrugë tjetër jashtë tyre./Alfapress.al







