Ballina Aktualitet L’Écho touristique: Shqipëria në 10 destinacionet më të preferuara për francezët në...

L’Écho touristique: Shqipëria në 10 destinacionet më të preferuara për francezët në prill 2026

61
0

Shqipëria po fiton terren si një nga destinacionet turistike më të preferuara për francezët në verën e vitit 2026, në një kohë kur shitjet globale të udhëtimeve në Francë janë në rënie.

Sipas barometrit të Orchestra për L’Écho touristique, Shqipëria është ndër të paktat destinacione që kanë shënuar rritje të shitjeve në prill 2026, ndryshe nga shumë tregje tradicionale turistike që po përballen me rënie të fortë.

Raporti thekson se Shqipëria është favorizuar këtë vit nga lidhjet më të shumta ajrore me Francën krahasuar me vitin 2025, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e interesit të turistëve francezë.

Në të njëjtën kohë, destinacione të njohura mesdhetare si Tunizia, Greqia dhe Italia kanë regjistruar rënie të shitjeve nga 10% deri mbi 20%, ndërsa Egjipti ka pësuar gati përgjysmim të kërkesës.

Barometri tregon se francezët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt destinacioneve më të afërta dhe më të përballueshme për shkak të pasigurive ekonomike dhe gjeopolitike, si edhe rritjes së kostove të karburanteve.

Në total, shitjet e udhëtimeve në agjencitë turistike franceze ranë me 12.6% në prill 2026, pas një rënieje edhe më të fortë prej 19.6% në mars. Megjithatë, Shqipëria rezulton një nga përfitueset kryesore të këtij ndryshimi të tendencës në tregun turistik francez.