Një operacion i gjerë është duke u zhvilluar në Sarandë dhe Ksamil, pas urdhër-arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Sarandës ndaj efektivëve të policisë, zyrtarëve lokalë dhe biznesmenëve të dyshuar për shkelje që lidhen me ndërtimet pa leje.
Burime bëjnë me dije se urdhër-arrestet janë lëshuar për dhjetëra persona, mes tyre efektivë të Komisariatit të Policisë Sarandë, zyrtarë vendorë, si edhe ndërtues e biznesmenë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në aktivitete të paligjshme në zonat bregdetare.
Operacioni po zhvillohet nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë.
Deri më tani raportohet se janë ekzekutuar dy urdhër-arreste, një ndaj një efektivi të policisë dhe një tjetër ndaj një biznesmeni, identitetet e të cilëve ende nuk janë bërë publike nga autoritetet.
Ndërkohë, kontrollet po vijojnë në banesa dhe ambiente të tjera me qëllim kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe ekzekutimin e plotë të masave të sigurisë.
Sipas burimeve paraprake, hetimet lidhen me dyshime për favorizime, mosveprim institucional dhe përfshirje në skema të ndërtimeve pa leje në zonat turistike të jugut të vendit.







