Këngëtari amerikan Zac Brown dhe dizajnerja e bizhuterive Kendra Scott janë martuar në një ceremoni intime në Santorini të Greqisë.
Sipas TMZ, çifti i ka dhënë fund beqarisë në një dasmë të zhvilluar të hënën në resortin luksoz Canaves Epitome, një nga destinacionet më të njohura në ishull.
Burime pranë çiftit kanë bërë të ditur se në ceremoni kanë qenë të pranishëm edhe fëmijët e tyre, duke e bërë ngjarjen një moment familjar dhe të ngrohtë.
Dasma vjen rreth një vit pasi Zac Brown i propozoi për martesë Kendra Scott. Në verën e vitit 2025, ata e konfirmuan fejesën për revistën People, duke u shprehur: “Jemi shumë të lumtur dhe mirënjohës që e kemi gjetur njëri-tjetrin.”
Në atë kohë, burime për People thanë se lidhja e tyre kishte nisur vetëm disa muaj më parë, por ishte zhvilluar shpejt. “Ata u prezantuan nga një mik i përbashkët dhe janë të dashuruar marrëzisht. Janë bërë të pandashëm,” u tha në raport.
Zac Brown ka qenë më parë i martuar me Shelly Brown për 12 vjet, martesë që përfundoi në vitin 2018 dhe nga e cila kanë pesë fëmijë. Ai më pas u martua me Kelly Yazdi në vitin 2023, por ata u ndanë pas më pak se një viti. Kendra Scott, ndërkohë, është nënë e tre fëmijëve.







