Ballina Ekonomia Biznesi zgjeron huamarrjen, prilli e ktheu në rritje kredinë për ekonominë

Biznesi zgjeron huamarrjen, prilli e ktheu në rritje kredinë për ekonominë

83
0

Kreditimi i ekonomisë u përmirësua përsëri gjatë muajit prill.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, muajin e kaluar sektori bankar dha më shumë se 39 miliardë lekë kredi të reja, në rritje me 19% krahasuar me prillin e vitit të kaluar. Rritja erdhi sidomos në segmentin e biznesit, ku kredia e re gjatë muajit u rrit 25% me bazë vjetore, ndërsa te individët rritja ishte më e kufizuar, me afërsisht 8% më shumë.

Rritja e prillit e ka përmirësuar ndjeshëm ecurinë progresive vjetore të kreditimit. Për katër muajt e parë të vitit, sektori bankar ka disbursuar kredi të reja në vlerën e 137.7 miliardë lekëve, në rritje me 6.1% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë që deri në fund të marsit ecuria e kredisë së re kishte qenë në nivele të përafërta me vitin e kaluar, tashmë muaji prill e ka rikthyer ecurinë e huadhënies në një tendencë rritëse.

Kontributin kryesor në rritjen e kredisë deri tani gjatë këtij viti po e jep segmenti i bizneseve. Në katër muaj, sektori bankar ka dhënë 92.8 miliardë lekë kredi të reja për bizneset, në zgjerim me 11.5% krahasuar me 4-mujorin e parë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, në segmentin e individëve rritja e kreditimit këtë vit paraqitet më e ngadaltë. Në katër muaj, vlera e kredisë së re arriti në 44.2 miliardë lekë, 3% më shumë krahasuar me një vit më parë. Pas një rritjeje shumë të shpejtë vitin e kaluar, këtë vit kredia për individët po rritet me ritme më të ngadalta. Arsyeja kryesore duket të jetë frenimi në ritmet e shpejta të kredisë për blerjen e banesave. Ky frenim është ndikuar nga masat kufizuese që miratoi Banka e Shqipërisë vitin e kaluar, por pjesërisht edhe nga një qasje më e kujdesshme e bankave, që po perceptojnë një rritje të rreziqeve të lidhura me çmimet e pasurive të paluajtshme.

Rritja e kreditimit ishte e dukshme edhe në vlerën e portofolit total. Në fund të prillit, teprica e kredisë për ekonominë arriti në 968.2 miliardë lekë, në rritje me 9.5 miliardë lekë krahasuar me marsin. Me bazë vjetore, portofoli i kredisë për ekonominë është në rritje me 11% krahasuar me një vit më parë.

Në vlerën e portofolit, rritja më e lartë vazhdon të regjistrohet në segmentin e individëve, me 17.1% më shumë krahasuar me një vit më parë. Megjithëse kredia e re është ngadalësuar në muajt e parë të këtij viti, rritja e portofolit vazhdon të ketë ritme të larta. Kredia për individë dhe kryesisht ajo për blerje banesash ka afate të gjata maturimi dhe kjo bën që amortizimi të jetë më i ngadaltë në kohë.

Ndërkohë, kredia për bizneset po e përmirëson ritmin e rritjes, por vlera e portofolit ngelet ende në rritje pak më të ulët krahasuar me individët. Në fund të prillit, rritja vjetore e portofolit ishte 9.2%./Monitor