Ballina Sport Ceremonia e “Topit të Artë” 2026 do të mbahet për herë të...

Ceremonia e “Topit të Artë” 2026 do të mbahet për herë të parë në Londër

74
0

Për herë të parë në historinë e tij 70-vjeçare, çmimi më prestigjioz individual në botën e futbollit, “Topi i Artë” (Ballon d’Or), do të ndajë trofetë e tij jashtë kryeqytetit francez.

Organizatorët kanë konfirmuar zyrtarisht se edicioni i këtij viti do të organizohet më 26 tetor 2026 në Londër, Angli.

Ky vendim simbolik nga revista France Football (në bashkëorganizim me UEFA-n që nga viti 2024) vjen si një tribut i veçantë për të nderuar legjendën angleze Stanley Matthews, i cili fitoi trofeun e parë historik në vitin 1956.

Me mbylljen e sezoneve europiane dhe me Botërorin “FIFA 2026” në horizont, vëmendja e opinionit sportiv botëror do të jetë e gjitha në kryeqytetin anglez.

Në ceremoninë e fundit të mbajtur tradicionalisht në Paris, fituesit e mëdhenj të vitit 2025 ishin Aitana Bonmatí në konkurrencën e femrave (për të tretën herë radhazi) dhe Ousmane Dembélé në atë të meshkujve, i cili udhëhoqi Paris Saint-Germain drejt trofeut historik të UEFA Champions League.