Ballina Kulturë Ferri i Dantes mes mitit dhe shkencës: Hipoteza e re për një...

Ferri i Dantes mes mitit dhe shkencës: Hipoteza e re për një përplasje asteroidesh në tokë

71
0

Një teori e re, e prezantuar në Asamblenë e Përgjithshme të Unionit Evropian të Gjeoshkencave, sugjeron se ‘Ferri’ i Dante Alighierit mund të përshkruajë jo vetëm një udhëtim shpirtëror, por edhe një transformim fizik të Tokës. Sipas studiuesit amerikan Timothy Burbery, figura e Satanait në ‘Komedinë Hyjnore’ mund të përfaqësojë një asteroid gjigant që u përplas me Tokën dhe krijoi një krater masiv, vetë Ferrin.

Burbery, ekspert i geomitologjisë, fusha që studion lidhjet midis miteve dhe ngjarjeve reale gjeologjike, argumenton se Satani nuk ishte thjesht një frymë e ligë e dëbuar nga Zoti, por edhe një trup qiellor që goditi hemisferën jugore të Tokës dhe u fundos pranë bërthamës së saj. Sipas tij, përplasja krijoi një krater gjigant në formë hinke, të cilin Dante e përshkruan si Ferrin, ndërsa materiali i nxjerrë nga impakti formoi, në anën tjetër të planetit, Malin e Purgatorit.

Për të ilustruar përmasat e kësaj ngjarjeje hipotetike, studiuesi e krahason atë me impaktin e Chicxulub, përplasjen kozmike që besohet se shkaktoi zhdukjen e dinosaurëve rreth 66 milionë vjet më parë. Ai e përshkruan ‘Satanin’ e Dantes si një objekt të ngjashëm me meteoritin Hoba, guri më i madh hapësinor i gjetur ndonjëherë në Tokë, me peshë rreth 64 ton.

Një tjetër element që Burbery interpreton në mënyrë gjeologjike janë nëntë rrathët e Ferrit. Sipas tij, ato mund të krahasohen me unazat koncentrike që vërehen në krateret e impakteve në planetë dhe satelitë të Sistemit Diellor, si Hëna apo Venusi. ‘Komedía Hyjnore’ është si Piramidat: herë pas here shfaqen teori të reja, pak a shumë të besueshme, mbi natyrën dhe kuptimin e saj.

Megjithatë, vlen të theksohet se, të paktën për momentin, kjo hipotezë është paraqitur vetëm në një konferencë dhe ende nuk mbështetet nga një botim në një revistë shkencore të rishikuar nga kolegët. Mbetet për t’u parë nëse Dante kishte një kuptim intuitiv të fizikës së impakteve kozmike, apo nëse ai përshkroi, pa vetëdije, fenomene reale gjeologjike.