Ballina Kulturë Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit nis xhirimet arkivale

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit nis xhirimet arkivale

82
0

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit njoftoi se ka nisur xhirimet arkivale, 27 vjet pas ndërprerjes.

Drejtori i AQSHF, Eljan Tanini e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm që i jep arkivit një mundësi më shumë për të dokumentuar jetën shqiptare dhe për të ruajtur kujtesën kolektive të kohës sonë.

Xhirimi i fundit arkival në AQSHF datonte në vitin 1999. Rinisja e xhirimeve u bë me pamje që dokumentuan faljen e Kurban Bajramit në qendër të Tiranës si çast i rëndësishëm i jetës shpirtërore dhe sociale të vendit.

Xhirimet arkivale janë materiale filmike të ruajtura nga e kaluara, të cilat përdoren në dokumentarë, lajme, filma apo emisione për të sjellë dëshmi autentike të ngjarjeve, njerëzve dhe periudhave historike. Ato dokumentojnë realitetin e një kohe të caktuar dhe mbeten një pasuri e çmuar për brezat që do të vijnë.

Një arkivë e tillë është me rëndësi për kujtesën historike, kulturore dhe artistike të një shoqërie. Përmes tyre dokumentohen ngjarje, mënyra jetese, tradita dhe zhvillimi i kinemasë ndër vite. Xhirimet arkivale shërbejnë gjithashtu si burim i vyer për studiues, regjisorë, gazetarë dhe për këdo që dëshiron të kuptojë dhe të rikthejë në vëmendje historinë tonë.