Viti 2026 po shoqërohet me shtim të kantiereve të ndërtimit. Shifrat e INSTAT tregojnë se në tremujorin e parë të vitit, bashkitë kanë miratuar në total 322 leje ndërtimi ose 24,8% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2025, ku u miratuan 258 leje. Pjesa e madhe e lejeve janë dhënë për banim, 237 të tilla, dhe 85 të tjera thotë INSTAT janë për hotele, ndërtesa tregtare apo industriale.
Për shkak të shtimit të lejeve, është rritur edhe volumi i sipërfaqes ndërtimore në 377 mijë metër katror nga 335 mijë që ishte në 2025-ën. Në total vlera e përafërt e projekteve të miratuara arriti në 213 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 1,6%, krahasuar me një vit më parë.
Por këto shifra nuk tregojnë numrin real të ndërtimeve që po bëhen ose pritet të nisin pasi INSTAT vijon të nënvizojë që të dhënat mbështetet vetëm tek lejet e dhëna nga bashkitë sepse ende nuk ka një raportim të plotë nga institucionet e tjera që gjithashtu japin leje, siç është Këshilli Kombëtar i Territorit, i cili aprovon lejet për kullat apo resortet e mëdha.
Ndërtimi është kthyer në një ndër industritë kryesore që po ndikon në rritjen ekonomike të vendit, paralelisht me tregun real estate dhe turizmin. Por pavarësisht shtimit të ndërtimeve, shtrenjtimi i apartamenteve nuk ka të ndaluar dhe arriti shifra rekord gjatë vitit të kaluar prej 36.3%.
Për shkak të çmimit të lartë Banka e Shqipërisë thotë se rreth 61% e pronave për banim janë blerë me hua bankare. Ndërsa vetëm në 4 muajit e parë të këtij vitit bankat kanë dhënë 212 milionë euro kredi për blerje banese, në rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur u aprovuan 240 milionë euro hua për këtë qëllim.
Ndikim në këtë ulje kanë pasur kufizimet për kredidhënie të caktuara nga Banka e Shqipërisë, në varësi të gjendjes financiare të individëve dhe pronës që marrin nëse është e parë apo e dytë.
Banka qendrore thotë se shtrenjtimi po udhëhiqet nga kërkesa e lartë për prona në zonat bregdetare, të cilat po kushtojnë gjithnjë e më shumë. Ndikim në këtë shtrenjtim vijojnë të kenë të huajt, të cilët janë edhe më shumë të përqendruar në prona me vlera të mëdha kryesisht në zonat më të kushtueshme të Tiranës, dhe përgjatë vijës bregdetare.
LEJET E NDËRTIMIT NGA BASHKITË
Leje Sipërfaqja
Janar-Mars 2025 237 335 mijë m²
Janar-Mars 2026 322 377 mijë m²
Diferenca +85 +42 mijë m²
KREDIA PËR BLERJE BANESE
Janar-Prill 2025 240 mln euro
Janar-Prill 2026 212 mln euro
Diferenca +28 mln euro







