Ballina Rajoni Nikolla Gruevski mori nënshtetësi hungareze që në vitin 2022, ekstradimi i tij...

Nikolla Gruevski mori nënshtetësi hungareze që në vitin 2022, ekstradimi i tij drejt Maqedonisë bëhet i pamundur

59
0

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, ka marrë shtetësi hungareze që në vitin 2022, 4 vjet pas arratisë, një zhvillim që sipas mediave hungareze e bën pothuajse të pamundur ekstradimin e tij në Shkup.

Lajmi është publikuar nga portali investigativ VSquare, i cili citon burime nga qeveria hungareze. Sipas raportimit, Gruevskit i është dhënë shtetësia e plotë hungareze për shkak të “interesit shtetëror hungarez”, ndërsa besohet se ai vazhdon të jetojë në Budapest.

“Një burim qeveritar hungarez konfirmoi se Nikolla Gruevskit iu dha shtetësia e plotë hungareze në vitin 2022 për shkak të ‘interesit shtetëror hungarez’. Sipas një burimi tjetër qeveritar, besohet se ai është ende në Hungari”, shkruan VSquare.

Sipas medias, statusi i ri i Gruevskit i jep atij mbrojtje shumë më të fortë ligjore sesa azili politik që kishte marrë pas mbërritjes në Hungari. Ndërsa azili mund të revokohet, heqja e shtetësisë konsiderohet një proces shumë më i ndërlikuar dhe i vështirë për t’u realizuar.

“Pozicioni i Gruevskit është dukshëm më i sigurt. Azili politik mund të revokohet, por heqja e shtetësisë është një procedurë ligjore shumë më e vështirë”, vlerëson VSquare.

Sipas analizës së portalit, për t’i hequr shtetësinë do të duhej të provohej se ajo është fituar përmes mashtrimit ose korrupsionit. Në rastin konkret, duke qenë se shtetësia është dhënë për arsye të “interesit shtetëror”, një hetim i tillë do të duhej të prekte edhe nivelet më të larta të qeverisë hungareze.

Gruevski u arratis nga Maqedonia e Veriut në nëntor të vitit 2018, pak para se të niste vuajtjen e një dënimi me dy vite burg në çështjen e njohur si “Tank”, që lidhej me blerjen e një automjeti luksoz Mercedes të blinduar me vlerë rreth 600 mijë euro.

Ai, sipas mediave që raportojnë rastin “u largua nga vendi nëpërmjet Shqipërisë, pastaj vazhdoi nëpërmjet Malit të Zi dhe Serbisë, gjoja me ndihmën e një automjeti diplomatik hungarez dhe, sipas raporteve të asaj kohe, me përfshirjen e shërbimit të inteligjencës së jashtme hungareze. Qeveria e Orbán më pas i dha atij azil politik”

Çështja e rikthimit të Gruevskit në Maqedoninë e Veriut ka ndezur gjithnjë debatin politik. Në prill të këtij viti, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se nuk pret kthimin e paraardhësit të tij, por shtoi se “nëse do të kthehej, do të shkonte në burg”.

Ndërkohë, opozita socialdemokrate ka kërkuar sqarime nga qeveria nëse janë dërguar dokumentet e nevojshme për ekstradimin e Gruevskit nga Hungaria, duke e kthyer çështjen në një tjetër përplasje politike në Shkup.

Vetë Gruevski ka reaguar ndaj diskutimeve për ekstradimin, duke këmbëngulur se proceset gjyqësore ndaj tij kanë qenë të motivuara politikisht dhe duke akuzuar autoritetet maqedonase për, sipas tij, “procedura të manipuluara” dhe shkelje të ligjit gjatë viteve të fundit.