Efektet e kanabisit në sistemin hormonal dhe fertilitetin mashkullor vazhdojnë të jenë të debatueshme në komunitetin shkencor. Një studim i kryer nga Universiteti i Gjenevës (UNIGE), në bashkëpunim me Qendrën Zvicerane për Toksikologjinë Humane të Aplikuar (SCAHT), tregon se përdorimi i kanabisit nuk ul nivelet e testosteronit tek meshkujt e rinj dhe madje mund të rrisë prodhimin e tij në testikuj.
Studimi u bazua në analizën e mostrave të gjakut nga 94 të rinj zviceranë të moshës 18–23 vjeç, ku gjysma ishin përdorues të kanabisit dhe gjysma jo. Studiuesit analizuan jo vetëm testosteronin, por edhe qindra hormone të tjera seksuale, përfshirë androgjenët, progesteronin dhe estrogjenin.
Sipas profesor SergeRudaz, rezultatet tregojnë se përdorimi i kanabisit lidhet me një rritje rreth 23% të testosteronit tek meshkujt e rinj. Analizat treguan se kjo rritje vinte nga testikujt, veçanërisht nga qelizat Leydig që prodhojnë testosteron, ndërsa hormonet e prodhuara nga gjëndrat mbiveshkore nuk u ndikuan.
Studiuesit identifikuan gjithashtu dy biomarkues të rinj që mund të ndihmojnë në zbulimin e përdorimit të rregullt të kanabisit: hydroxyprogesterone dhe dihydroprogesterone. Rritja e këtyre hormoneve tek përdoruesit ishte aq e lartë sa mund të përdoren për të monitoruar ndryshimet hormonale të lidhura me ekspozimin ndaj kanabisit.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se rritja e testosteronit nuk do të thotë domosdoshmërishtfertilitet më i mirë apo spermë më cilësore. Lidhja mes testosteronit dhe fertilitetit mbetet komplekse. Studiuesit shtojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar efektet afatgjata të kanabisit dhe ndikimin e tij real në shëndetin riprodhues mashkullor.







