Ballina Ekonomia Euro “braktiset” nga huamarrësit – Kreditë në lekë fitojnë terren përgjatë katër...

Euro “braktiset” nga huamarrësit – Kreditë në lekë fitojnë terren përgjatë katër muajve të parë të vitit

63
0

Sipas të dhënave të “Bankës së Shqipërisë”, huaja e re e disbursuar nga sistemi bankar arriti në 137.7 miliardë lekë në katër muajt e parë të vitit 2026, nga 129.8 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje prej 6.1%. Zgjerimi i kreditimit është mbështetur kryesisht nga huatë në monedhën vendase, ndërsa kreditimi në euro ka shfaqur ecuri të ndryshme mes bizneseve dhe individëve.

Te korporatat jofinanciare private, kredia e re u rrit me 11.5%, duke arritur në 92.8 miliardë lekë. Financimi në lekë u zgjerua me 9.9%, në 46.5 miliardë lekë, ndërsa kreditë në euro arritën në 41.8 miliardë lekë, me një rritje prej 8.6% krahasuar me një vit më parë. Kjo tregon se bizneset vijojnë të mbështeten si te leku ashtu edhe te euroja për financimin e aktivitetit të tyre.

Ndryshe paraqitet situata për individët. Kreditë e reja për këtë segment u rritën vetëm me 3%, duke arritur në 44.2 miliardë lekë. Megjithatë, brenda kësaj kategorie vihet re një zhvendosje e fortë drejt monedhës vendase. Huaja në lekë u rrit me 13.1%, duke arritur në 37.4 miliardë lekë, ndërsa kreditimi në euro ra me 30.6%, në 6.9 miliardë lekë.

Rënia e huamarrjes në euro lidhet kryesisht me kreditë për blerje banesash. Në katër muajt e parë të vitit, kreditë hipotekore në euro zbritën në 3.9 miliardë lekë, nga 7.3 miliardë lekë një vit më parë, duke shënuar një tkurrje prej 46.6%. Në të kundërt, kreditë për banesa në lekë u rritën me 4.5%, duke arritur në 16.3 miliardë lekë.

Të dhënat tregojnë se procesi i orientimit të huamarrjes drejt monedhës vendase po vazhdon, veçanërisht te individët. Forcimi i lekut gjatë viteve të fundit dhe preferenca për të marrë kredi në të njëjtën monedhë me të ardhurat duket se po ndikojnë gjithnjë e më shumë në zgjedhjet e huamarrësve. Ndërkohë, bizneset mbeten më të ekspozuara ndaj euros, për shkak të aktivitetit tregtar dhe të ardhurave që një pjesë e tyre gjenerojnë në valutë.