Nga Artan Cena
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Komisionet Hetimore Parlamentare, që lejoi të ngrihej ai për zgjedhjet, farsën elektorale të 11 Majit dhe bllokoi atë për çështjen ‘McGonigal’ vështirë se mund të lexohet thjesht si një interpretim juridik i kompetencave parlamentare.
Politikisht, ai vendim ngjan më shumë me një përpjekje për të mbyllur derën e hetimit aty ku pushteti ka nuk kërkon që të hidhet dritë.
Gjykata vendosi të lejojë ngritjen e Komisionit Hetimor për zgjedhjet, por të bllokojë Komisionin Hetimor për çështjen McGonigal.
Dy kërkesat në fakt burojnë nga i njëjti instrument kushtetues, por që morën trajtim të ndryshëm. Pikërisht ky dallim ngre pikëpyetjen kryesore: çfarë e bën të pranueshëm një hetim parlamentar në njërin rast dhe të papranueshëm në tjetrin?
Përgjigjja juridike është shumë debatueshme.
Përgjigjja politike duket shumë më e qartë.
Çështja ‘McGonigal‘ nuk është një debat rutinë në politikën shqiptare.
Ajo është një skandal me dimension ndërkombëtar, i lidhur me ish-drejtorin e kundërspiunazhit në zyrën e FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal, dhe që kanë prodhuar akuza me pasoja politike dhe penale. McGonigal ndodhet në qeli dhe po vuan dënimin për çështjen ku është i përfshirë me emër dhe mbiemër Edi Rama.
E pikërisht aty ku interesi publik është më i madh, Kushtetuesja vendosi ‘kufirin tek thana‘.
Kjo të sjell të mendosh se, ky institucion nuk po mbron të drejtën për të hetuar që është e drejtë e çdo deputeti, por po përcakton se cilat çështje mund të hetohen dhe cilat duhet të mbeten jashtë fokusit politik.
Në këtë kuptim, vendimi duket më shumë si një kompromis i kujdesshëm: lejohet hetimi për zgjedhjet, farsën elektorale të 11 Majit, por bllokohet hetimi që mund të prodhojë pasojat më të drejtpërdrejta politike për Edi Ramën.
Një lloj balancimi që ruan fasadën e kontrollit parlamentar, ndërsa mbron thelbin e interesit të pushtetit.
Kjo është arsyeja pse vendimi perceptohet si një standard i dyfishtë.
Jo sepse Gjykata zgjodhi mes dy komisioneve, por sepse zgjodhi të mos prekë pikërisht dosjen ‘McGonigal’ që e përndjek Edi Ramën për vite me radhë dhe që vazhdon të ngrejë pyetje pa përgjigje.
Në fund, dëmi më i madh nuk është as për opozitën dhe as për mazhorancën. Dëmi është për besimin publik.
Sepse sa herë që një institucion jep përshtypjen se është më i kujdesshëm ndaj pushtetit sesa ndaj transparencës, forcohet bindja se drejtësia institucionale nuk funksionon me të njëjtin standard për të gjithë.
Dhe pikërisht ky është mesazhi që lë pas vendimi i sotëm: zgjedhjet mund të hetohen, McGonigali jo.







