Një ekip ndërkombëtar arkeologësh ka zbuluar në Bahamas anijet e para të mbytura që dyshohet se lidhen me piratët e vërtetë të Karaibeve, sipas një reportazhi ekskluziv të gazetës britanike The Guardian.
Zbulimi u bë në portin e Nassau-t, në ishullin New Providence, i cili gjatë periudhës 1690–1720 shërbeu si strehë për disa nga piratët më famëkeq të historisë, përfshirë Edward Teach, i njohur si “Mjekërziu” (Blackbeard), dhe John “Calico Jack” Rackham.
Ekspedita u realizua pasi autoritetet dhanë për herë të parë leje zyrtare për zhytje në një zonë të mbyllur të portit. Arkeologët identifikuan gjashtë anije të mbytura, tre prej të cilave datojnë nga e ashtuquajtura “Epoka e Artë e Piraterisë”.
Një nga zbulimet më të rëndësishme ishte një karkasë druri e djegur, ende e mbuluar nga ballastët prej guri. Sipas ekspertëve, piratët shpesh i digjnin anijet që kishin plaçkitur për të zhdukur gjurmët e aktiviteteve të tyre kriminale.
Në vendngjarje u gjetën gjithashtu topa rrotullues (swivel guns), një top hekuri, 25 sfera plumbi për musketa dhe një gur mprehjeje për mprehjen e shpatave. Arkeologët i konsiderojnë këto objekte si tregues të fortë të aktivitetit pirat në zonë.
“Këto gjetje janë vetëm maja e ajsbergut. U habita nga ruajtja e papritur e një karkase druri. Mund të ketë dhjetëra anije të tjera të mbytura brenda dhe rreth portit”, deklaroi për The Guardian arkeologu detar britanik Dr. Sean Kingsley, bashkëdrejtues i projektit.
Ai shtoi se prekja dhe ekzaminimi i drejtpërdrejtë i anijes së djegur ishte një përvojë unike dhe emocionuese.
Ekspertët po shqyrtojnë mundësinë që një prej anijeve të zbuluara të ketë lidhje me Henry Avery-n, një nga piratët më të kërkuar të shekullit XVII. Në vitin 1695, Avery realizoi atë që konsiderohet grabitja më fitimprurëse në historinë e piraterisë, duke marrë pasuri që sot do të vlente mbi 85 milionë paund.
Anija e djegur ka tërhequr veçanërisht vëmendjen e studiuesve, pasi trarët e saj ishin bashkuar me gozhda druri tradicionale dhe struktura ishte djegur deri në vijën e ujit – një praktikë e njohur e piratëve për të fshehur provat.
“Djegia e anijeve deri në vijën e ujit ishte një taktikë famëkeqe për të fshehur krimet nga autoritetet. Kjo anije në Nassau paraqet të gjitha shenjat e veprimtarisë pirate”, tha Dr. Michael Pateman, bashkëdrejtues i ekspeditës dhe ambasador për historinë, kulturën dhe muzeologjinë në Bahamas.
Sipas tij, anija ishte e armatosur rëndë, veçanërisht me topa rrotullues të montuar në bord, armë të cilat përdoreshin për të shkaktuar dëme të mëdha në ekuipazhet armike gjatë sulmeve.
Ekipi zbuloi gjithashtu pjesë të pajisjeve të lundrimit, shishe qelqi, tulla nga kuzhina e anijes dhe 143 pipa duhani prej balte. Disa prej tyre ishin zbukuruar me simbole si njëbrirëshi, kali, kurora mbretërore dhe stema e Anglisë, duke sugjeruar se ishin prodhuar në Londër rreth viteve 1740.
Sipas studiuesve, këto artefakte hedhin dritë mbi periudhën kur Nassau po kthehej gradualisht nga një strehë piratësh në një port normal tregtar.
Pavarësisht se anije pirate janë zbuluar më parë në vende të ndryshme të botës, nga Mauritius deri në Karolinën e Veriut, kjo është hera e parë që gjenden rrënoja të tilla në Nassau, vendi që konsiderohet si zemra historike e piratëve të Karaibeve.
Zbulimet janë dokumentuar në episodin e parë të mini-serialit “Mystery of the Pirate King’s Treasure”, i cili u publikua këtë javë.







