Ballina Politika Nëse Edi Rama e ka kaq të sigurt fitoren, të jap dorëheqjen...

Nëse Edi Rama e ka kaq të sigurt fitoren, të jap dorëheqjen dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme

89
0

Nga Klevis Elezi

Nëse Edi Rama e ka kaq të sigurt fitoren, atëherë pse nuk jep dorëheqjen dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme? Le të flasë populli edhe një herë. Le të vendosë sovrani, jo propaganda.

Retorika e lodhur e “uljes në tryezë” nuk bind më askënd. Shqipëria nuk ka nevojë për fjalime, por për përgjegjësi politike. Kur mijëra qytetarë dalin në rrugë dhe kërkojnë largimin e qeverisë, zëri i tyre nuk mund të trajtohet si zhurmë sfondi apo si një shqetësim kalimtar.

Ajo që bie në sy në këtë protestë është thjeshtësia dhe qartësia e kërkesës: largimi i qeverisë. Pa ekuivoke, pa pazare dhe pa interpretime.

Për vite me radhë shqiptarëve u janë premtuar reforma, mirëqenie dhe drejtësi. Në vend të tyre kanë parë varfëri, emigrim masiv, korrupsion, kapje institucionesh dhe një arrogancë pushteti që sillet sikur është mbi qytetarët.

Asnjë qeveri nuk është e përjetshme. Asnjë pushtet nuk është më i madh se vullneti i popullit. Historia ka treguar se kur qytetarët vendosin të mos heshtin më, as propaganda, as administrata dhe as mekanizmat e pushtetit nuk mund ta ndalin ndryshimin.

Unë kam qenë, jam dhe do të mbetem pjesë e frymës së Dhjetorit të Dytë, sepse besoj se shteti duhet t’i shërbejë qytetarit dhe jo qytetari shtetit. Besoj se Shqipëria meriton institucione që i përgjigjen popullit dhe jo një pushtet që i kërkon popullit t’i përgjigjet atij.

Sot mesazhi është i qartë: kur një qeveri humbet besimin e një pjese të madhe të qytetarëve, zgjidhja demokratike është kthimi te sovrani. Le të vendosë populli. Pa frikë. Pa presion. Pa arrogancë.