Ballina Politika Noka: Mercenarët e Soros e kanë me familjen Trump, se për flamingot...

Noka: Mercenarët e Soros e kanë me familjen Trump, se për flamingot as u kërcet fare

145
0

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale lidhur me reagimet ndaj projektit të Zvërnecit, duke akuzuar organizatat mjedisore dhe aktivistët e lidhu me rrjetin e George Soros për standarde të dyfishta.

Në reagimin e tij, Noka deklaron se kundërshtimet aktuale nuk lidhen realisht me mbrojtjen e mjedisit apo të zogjve shtegtarë, por me sulmet politike ndaj familjes Trump dhe veçanërisht ndaj Jared Kushner.

Sipas Nokës, dëmet ndaj florës, faunës dhe flamingove në zonën e Nartës shkaktohen nga Aeroporti i Vlorës, por, sipas tij, organizata si European Greens dhe ato që ai i quan “Soros Albania” nuk kanë reaguar për këtë çështje.

Ai shprehet gjithashtu se bashkëshorti i një ministreje të qeverisë Rama është i përfshirë në organizimin e protestave, duke e cilësuar këtë si pjesë të një strategjie të kryeministrit Edi Rama për të përdorur të tjerët si fasadë, ndërsa qëndron vetë pas organizimeve.

Në vijim të reagimit, Noka akuzon organizatat e të drejtave të njeriut për heshtje ndaj rasteve që ai i konsideron shkelje të rënda gjatë 13 viteve të qeverisjes së Edi Ramës. Ai përmend vrasjen e të miturit Ardit Gjoklaj, vrasjen e Klodian Rashës dhe arrestimin e ish-Presidentit të Republikës, duke treguar se organizata të tilla si Komiteti Shqiptar i Helsinkit nuk kanë reaguar ndaj këtyre ngjarjeve.

“Ka mbi 13 vjet që me Edi Ramën në pushtet të drejtat e njeriut në Shqipëri dhunohen sistematikisht”, shkruan Noka, duke shtuar se reagimet aktuale për çështjet mjedisore kanë ardhur vetëm pasi George Soros ka sulmuar Presidentin Trump dhe dhëndrin e tij, Jared Kushner.

Reagimi i Nokës:

Mercenarët e #Soros e kanë me familjen #Trump, se për flamingot as u kërcet fare.
Flamingot, florën dhe faunën e asaj zone e asgjëson Aeroporti i Vlorës, por ja që si #Europeangreens dhe Soros Albania nuk ua ndjen fare për mjedisin dhe zogjtë shtegtarë 

Vetë bashkëshorti i ministres së besuar të Ramës është një organizator i protestës. Përdorimi dhe instrumentalizimi i të tjerëve është kamuflazhi i Ramës, i cili qëndron vetë pas organizimeve të tilla.

Ka mbi 13 vjet që me Edi Ramën në pushtet të Drejtat e Njeriut në Shqipëri dhunohen sistematikisht. U vra një i mitur si Ardit Gjoklaj, por Komiteti Sorosian i Helsinkit në Shqipëri nuk u ndje.

U vra Klodian Rasha e #KSHH s’nxorri zë.

U rrëmbye ish Presidenti i Republikës dhe s’hapën gojë. Janë bërë batërdi mbi këtë popull për 13 vjet rresht, por KSH i Helsinkit nuk është ndjerë.

Tani që Soros sulmon Presidentin Trump dhe dhëndrin e tij Jared Kushner, edhe mercenarët u bënë të ndjeshëm për zogjtë.