Ballina Aktualitet I shkaktoi shtetit 33 mln lekë dëm ekonomik, GJKKO i kthen SPAK...

I shkaktoi shtetit 33 mln lekë dëm ekonomik, GJKKO i kthen SPAK dosjen për ish-kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi

90
0

Gjykata e Posaçme i ka kthyer SPAK dosjen për ish kryebashkiakun e Kavajës Elvis Rroshi, me kërkesën që prokurori Elvin Gokaj të qartësojë akuzën që ka ngritur ndaj tij.

Vendimi u dha këtë të enjte nga gjyqtare Rudina Palloj, e cila i la afat kohor 2 javë organit të akuzës të shpjegoj përse e ndryshoi veprën penale të Rroshit nga “shkelje e barazisë në tendera” në “shpërdorim detyre”.

Më herët SPAK kërkoi pushimin e hetimeve për 6 episode të shpërdorimit të detyrës për Elvis Roshin- për shkak të parashkrimit të veprës penale.

Roshi u kallëzua 10 vite më parë në Prokurorinë e Kavajës nga KLSH në shtator të vitit 2015, ku së bashku me 10 zyrtarë të tjerë dyshoheshin se kishin shkaktuar një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh me tenderat e rikonstruksionit të qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve.

Shkeljet u zbuluan pas një auditi të kryer në Bashkinë e Kavajës për periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Në listën e shkeljeve u renditën 12 tendera, të zhvilluar kryesisht për rikonstruksionin e qendrës së qytetit, të disa rrugëve lidhëse dhe mbjelljen e pemëve dekorative. Në dy raste, KLSH e akuzoi Bashkinë e Kavajës se ka ndjekur standard të dyfishtë në vlerësimin e pjesmarrësve në tenderë, duke skualifikuar operatorin me ofertën më të ulët.

Për 3 tenderë të tjerë, u konstatua se ofertuesi me çmimin më të ulët është skualifikuar padrejtësisht si rezultat i llogaritjes së gabuar të ofertës. Çështja shkoi më pas në Prokurorinë e Durrësit e cila kërkoi ta mbyllte, por një vendim i GJKKO vitin e kaluar urdhëroi hetimin e dosjes nga SPAK.