Deputeti i PD, Flamur Noka, ka bërë një denoncim nga foltorja e Kuvendit, duke deklaruar se në zonën e Zvërnecit parashikohet një projekt i dytë që, sipas tij, lidhet me emra biznesmenësh dhe ish-zyrtarësh të lartë.
Noka tha se projekti është në pronësi të biznesmenit të shpallur në kërkim, Ergys Agasi, si dhe ish-sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi.
“Pse nuk iu thoni pra shqiptarëve që atje është një projekt i dytë, në Zvërnec. Projekti është i Ergys Agasit, i Engjëll Agaçit që rastësisht na paskan dalë komshinj me Kushnerin. Njëri me 302 hektarë, duhet t’ia thoni shqiptarëve. Gjithë Lagunën, atë për të cilën po flitet sot, Laguna është pronë e Gys Agasit 302 hektarë. Po aty ka dhe Engjëll Agaçi”, tha Flamur Noka.
Kujtojmë se biznesmeni Ergys Agasi është në kërkim, pasi akuzohet nga SPAK se krijoi bashkë me Ermal Beqirajn një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderave të AKSHI-it, duke përdorur dhunë dhe pengmarrje.
Ndërkohë, Engjëll Agaçi ka shërbyer për 13 vite si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe në shkurt të këtij viti ka dhënë dorëheqjen nga ky post.







