Në dosjen e saj përfundimtare në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Prokuroria thotë se që nga themelimi i UÇK-së, Shqipëria kishte një rol të rëndësishëm si vend stërvitjeje, furnizimi dhe koordinimi.
Sipas Prokurorisë, që nga pranvera e vitit 1998, UÇK-ja kishte seli, spital ushtarak dhe depo në Tiranë, si dhe qendra logjistike dhe stërvitore në veri të Shqipërisë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Prokuroria thotë se Drejtoria e Logjistikës e Shtabit të Përgjithshëm vepronte kryesisht nga Shqipëria dhe drejtohej nga Xhavit Haliti, si dhe Azem Syla si Komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, qëndronte kryesisht në Shqipëri dhe merrej me organizimin e furnizimeve.
Prokuroria pretendon se Xhavit Haliti dhe Azem Syla mbanin kontakte të vazhdueshme me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin në Kosovë, ndërsa këta të fundit udhëtonin shpesh në Shqipëri. Kurse, Xheladin Gashi i njohur si Komandant Plaku ishte përgjegjës për bazat, qendrat stërvitore dhe aktivitetet logjistike të UÇK-së në veri të Shqipërisë përmes të cilit kalonin çështjet e furnizimit, financimit dhe mobilizimit.
Shtabi i Përgjithshëm, sipas Prokurorisë, koordinonte furnizimin me armë dhe pajisje nga Shqipëria në Kosovë. Kur zonat operative kishin mungesa, organizohej transporti i armëve dhe furnizimeve deri në pika të caktuara në Kosovë si Jabllanica ose Drenoci për shpërndarje të mëtejshme.
Sipas Prokurorisë, Azem Syla organizonte pranimin e rekrutëve të rinj që vinin nga diaspora të cilët më pas transportoheshin deri në kufirin me Kosovën, ku pajiseshin me armë dhe më pas dërgoheshin në zonat përkatëse. Ky dislokim i ushtarëve, sipas Prokurorisë, bëhej në koordinim me Shtabin e Përgjithshëm duke përfshirë Thaçin, Veselin dhe Selimin.
Ndërsa, oficerët me përvojë ushtarake që dëshironin t’i bashkoheshin UÇK-së kalonin fillimisht nëpër proces verifikimi dhe stërvitjeje në Shqipëri.
Oficerët ushtarakë me përvojë që dëshironin t’i bashkoheshin UÇK-së, sipas Prokurorisë, prisnin gjithashtu në Tiranë, duke ndjekur stërvitje nën drejtimin e Azem Sylës, në pritje të rezultatit të verifikimeve të së kaluarës së tyre dhe derisa Shtabi i Përgjithshëm të miratonte hyrjen e tyre në Kosovë.
Veç kësaj, thuhet se pas urdhrit të mobilizimit të 31 marsit 1999, Kukësi u bë qendra kryesore e mobilizimit dhe një bazë e rëndësishme për përgatitjen e Operacionit Shigjeta.
Tutje, thuhet se në pranverën e vitit 1999, Jakup Krasniqi vizitoi disa baza të UÇK-së në Shqipëri si Kukësin e Cahanin dhe u angazhua në organizimin e rekrutëve dhe forcimin e autoritetit të Shtabit të Përgjithshëm. Së bashku me Kadri Veselin dhe Azem Sylën, thuhet se ai punoi për forcimin e kontrollit të Shtabit të Përgjithshëm dhe Qeverisë së Përkohshme të Kosovës mbi strukturat e tjera shqiptare, përfshirë FARK-un.
Ndërsa, për Operacionin Shigjeta thuhet se u krijua një strukturë e veçantë komanduese, e cila raportonte te Hashim Thaçi nëpërmjet Azem Sylës si ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme. Ndërsa, Sabit Geci thuhet se ishte përgjegjës për inteligjencën dhe kundërzbulimin në Shqipëri dhe raportonte drejtpërdrejt te Shtabi i Përgjithshëm. Për Gecin thuhet se ai kishte kryer krime në Kosovë gjatë 1998-ës por mbante më pas edhe pozitë autoriteti në qendrat e ndalimit në Cahan dhe Kukës.
Prokuroria pretendon se në maj 1999, Bislim Zyrapi organizoi komandën kryesore të Operacionit Shigjeta në Kukës, ndërsa qendra të tjera komanduese u vendosën në Koshare dhe Cahan. Në fund, të majit ai u zëvendësua nga Fatmir Limaj.
Për Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, thuhet se vizituan Kukësin gjatë kësaj periudhe.
Sipas Prokurorisë, Operacioni Shigjeta filloi më 26 maj 1999 me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm. Ky operacion thuhet se nsi në drejtim të Pashtrikut.
Kurse, midis prillit dhe qershorit 1999 thuhet se Sabit Geci, Xheladin Gashi dhe vartës të tyre arrestuan, ndaluan dhe keqtrajtuan persona të konsideruar kundërshtarë, përfshirë individë të lidhur me LDK-në dhe FARK-un, në disa baza të UÇK-së në veri të Shqipërisë, si në Kukës, Cahan, Krumë, Shkodër, Durrës, Rramanak dhe afër Kolshit.
Kontributi i të akuzuarve në UÇK, sipas Prokurorisë
Sipas Prokurorisë, secili nga të akuzuarit kontribuoi në mënyrë të rëndësishme në krijimin, zbatimin dhe ruajtjen e qëllimit të përbashkët të ndërmarrjes së pretenduar kriminale.
ZPS pretendon se ata forcuan autoritetin e Shtabit të Përgjithshëm mbi strukturat e UÇK-së, vendosën persona të besuar në pozita drejtuese për të organizuar identifikimin dhe arrestimin e kundërshtarëve, hartuan dhe nxorën rregulla dhe dokumente për trajtimin e personave të konsideruar kundërshtarë, lëshuan urdhra dhe kërkuan raporte për zbatimin e politikave të tyre, mbështetën dhe promovuan persona që zbatonin këto politika.
Krahas tjerash, thuhet se të akuzuarit përdorën deklarata publike, komunikata dhe media për të denoncuar dhe kërcënuar kundërshtarët, mohuan ose minimizuan akuzat për ndalime dhe keqtrajtime kur pyeteshin nga përfaqësues ndërkombëtarë.
Për të akuzuarit pretendohet se krijuan struktura të drejtësisë ushtarake që, sipas Prokurorisë, nuk penguan keqtrajtimet ndaj kundërshtarëve, emëruan veten dhe bashkëpunëtorët e tyre në pozita kyçe të kontrollit dhe sigurisë.
Katërshja e UÇK-së dhe anëtarë të tjerë, sipas Prokurorisë, në disa raste, sipas akuzave, morën pjesë drejtpërdrejt në ndalime, keqtrajtime ose zhdukje të personave të konsideruar kundërshtarë.
“Ata emëruan veten dhe njëri-tjetrin në role kyçe brenda mekanizmave të kontrollit, përfshirë mekanizmat për identifikimin dhe shënjestrimin e Kundërshtarëve. Herë pas here, ata morën pjesë drejtpërdrejt në ndalimet, keqtrajtimet ose zhdukjet e Kundërshtarëve”, thuhet në dosjen përfundimtare të Prokurorisë.
Veç kësaj, Prokuroria pretendon se Kadri Veseli ka deklaruar se gjatë luftës anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm nuk kishin detyra të ndara në mënyrë strikte, por merreshin së bashku me çështje të udhëheqjes, logjistikës dhe inteligjencës sipas nevojave të kohës.
Sipas Prokurorisë, pjesëmarrja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Shtabin e Përgjithshëm përbënte bazën kryesore të kontributit të tyre në politikat, strukturat dhe veprimet që, sipas aktakuzës, çuan përpara qëllimin e përbashkët të pretenduar.
“Betimi për Drejtësi” do të raportojë mbi detaje të tjera të dosjes përfundimtare të Prokurorisë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ndryshe, fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën e 9 shkurtit 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Po më 10 shkurt u dha fjala përfundimtare edhe nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.
Ndërsa, më 11 shkurt 2026, dha fjalën e tij përfundimtare mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e filloi mbrojtja e Veselit, e vazhdoi edhe më 12 shkurt. Po atë ditë e nisi fjalën përfundimtare mbrojtja e Selimit dhe e përfundoi me 13 shkurt, datë në të cilën më pas i nisi deklarimet mbrojtja e Krasniqit. Kjo e fundit përfundoi deklaratat përmbyllëse më 16 shkurt, seancë e cila vazhdoi me pyetjet e trupit gjykues dhe përgjigjet e mbrojtjes dhe Prokurorisë.
Ndërsa, me 18 shkurt dhanë fjalën e tyre të akuzuarit. Hashim Thaci tha se i vetmi pushtet që kishte ishte ai i zërit të tij dhe se UÇK-ja nuk ishte shteti, ishte organizim popullor për mbrojtje nga agresori. Kurse, Kadri Veseli tha se nuk ka asnjë provë që tregon se ai ka kryer krim dhe se e ka ndërgjegjen e pastër.
Gjatë fjalës së tij, Rexhep Selimi tha se akuzat ndaj tyre janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta si dhe janë përpjekje për të njollosur luftën e tyre. Përveç kësaj, ai tha se shpreson që drejtësia do i kthej në atdhe.
Kurse, Jakup Krasniqi u shpreh se i është mohuar e drejta për liri si një njëri në fazën e fundit të jetës. Ai shtoi se ka kaluar rreth 16 vjet burg vetëm se luftoi për popullin e tij. Veç kësaj, Krasniqi tha se “nëse dashuria për liri gjykohet si krim, atëherë vetë historia do të dënohet”.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.







