Liqeni i Shkodrës është shpallur Rezervë Biosfere e UNESCO-s, një vlerësim ndërkombëtar për një nga pasuritë më të mëdha natyrore të Shqipërisë. Klasifikimi do të thotë se zona e përcaktuar shërben si laborator për zhvillimin e qëndrueshëm.
“Ky është një moment krenarie për Shkodrën, për komunitetet që jetojnë pranë liqenit dhe për potencialin e jashtëzakonshëm që ky territor mbart për turizmin, ekonominë lokale, zhvillimin e rajonit dhe rritjen e mirëqenies”, shkruan kryebashkiaku Benet Beci.
Liqeni i Shkodrës nuk është vetëm një pasuri natyrore, por identitet, histori dhe një nga asetet më të çmuara të Shkodrës.
Në Shqipëri, këto zona përfshijnë pasuri madhore natyrore si Lugina e Vjosës (një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës) dhe Liqeni i Shkodrës (në bashkëpunim me Malin e Zi).
Shpallja si Rezervë Biosfere e UNESCO-s e njeh Liqenin e Shkodrës si një laborator të gjallë për zhvillimin e qëndrueshëm, ku mbrojtja e natyrës, kërkimi shkencor dhe mirëqenia e komuniteteve lokale ecin paralelisht.
Ky status përforcon angazhimin e Shqipërisë për ruajtjen afatgjatë të pasurive natyrore, përfshirjen e komuniteteve lokale dhe promovimin e një modeli zhvillimi që respekton mjedisin dhe trashëgiminë natyrore.







