Ndryshe nga protestat politike, të cilat me kalimin e kohës humbasin pjesëmarrës dhe besueshmëri për shkak të zhgënjimit ndaj lidershipit të tyre, protestat qytetare po tregojnë një dinamikë krejt tjetër. Mbështetja për to sa vjen dhe zgjerohet, ndërsa njerëzit vazhdojnë t’u bashkohen tubimeve edhe pasi kanë nisur prej disa orësh.
Pamjet nga sheshi para Kryeministrisë tregojnë se, me kalimin e orëve, numri i qytetarëve jo vetëm që nuk bie, por rritet. Mesazhi që përcillet është i qartë, kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe ministrave të kabinetit të tij. Pakënaqësi për 13 vitet e qeverisjes të cilat sipas protestuesve nuk kanë realizuar pritshmëritë dhe s’janë mbajtur premtimet, krejt ndryshe nga zotimet. Kjo pakënaqësi shtrihet drejt të gjithë faktorit politik, me një kërkesë për ndryshim.
Në qendër të thirrjeve mbetet kërkesa për largimin e kryeministrit Edi Rama. Për shumë protestues, pas 13 vitesh në pushtet, përgjegjësia politike për emigracionin, vështirësitë ekonomike, paga e pensione që nuk rriten, ndërsa mungon mbështetja për shtresat sociale, dhe mungesën e besimit tek institucionet ka një adresë të qartë, qeverinë e Ramës.
“Edi Rama duhet të largohet”! “Rama ik”! Të dorëhiqet qeveria”! janë mesazhet që dëgjohen gjithnjë e më shpesh në shesh, ndërsa protesta qytetare vazhdon të mbledhë mbështetës dhe të fitojë terren edhe kur revolta ka hyrë në ditën e shtatë e saj.







