Një mësuese 35-vjeçare nga Uashingtoni është arrestuar pasi autoritetet e akuzojnë se ka kryer marrëdhënie seksuale me dy djem adoleshentë që kishte adoptuar. Amber Swain, e cila shërbente si mësuese dhe drejtoreshë në Shkollën e Mesme Pent Ore, u vu në pranga të martën pas një hetimi që nisi më 18 maj. Sipas autoriteteve, Departamenti i Fëmijëve, të Rinjve dhe Familjeve i shtetit të Uashingtonit njoftoi zyrën e sherifit për një rast të dyshuar abuzimi seksual që përfshinte dy adoleshentë.
Pas intervistimit të të rinjve dhe të dyshuarës, hetuesit deklaruan se kishin gjetur prova të mjaftueshme për arrestimin e saj. Njëri prej djemve u tha hetuesve se kishte kryer marrëdhënie seksuale me Swain disa herë, duke pretenduar se kontaktet kishin nisur para se ai të mbushte 18 vjeç dhe kishin vazhduar edhe më pas. Sipas dëshmisë së tij, një nga episodet kishte ndodhur vetëm dy ditë para raportimit të rastit në polici. Fillimisht, 35-vjeçarja mohoi akuzat, por më vonë pranoi se kishte pasur marrëdhënie seksuale me njërin prej të rinjve në muajin shkurt, pasi ai kishte mbushur moshën madhore. Megjithatë, ajo deklaroi më pas se mund të kishte gabuar lidhur me datat e ngjarjeve.
Ndërkohë, djali i dytë u tha oficerëve se kishte pasur kontakte fizike me mësuesen gjatë muajit maj, ndërsa ndodheshin në të njëjtin shtrat, por pretendoi se situata ishte ndërprerë nga vetë ajo pas disa minutash. Swain është paraqitur para gjykatës, e cila caktoi një garanci prej 20 mijë dollarësh për lirimin e saj. Gjykata vendosi gjithashtu kushte të rrepta, duke i ndaluar kontaktet me persona nën moshën 18 vjeç, duke e detyruar të qëndrojë brenda shtetit të Uashingtonit dhe të raportojë rregullisht te këshilltari i saj ligjor. Sipas legjislacionit të shtetit të Uashingtonit, incesti i shkallës së parë konsiderohet vepër penale e rëndë dhe dënohet me deri në 10 vite burg, si dhe me gjobë deri në 20 mijë dollarë.







