Nëntë persona mbetën të plagosur pas një incidenti me armë zjarri pranë qendrës stërvitore që kombëtarja e Anglisë pritet të përdorë gjatë Kupës së Botës 2026 në Kansas City, Missouri.
Sipas autoriteteve lokale, policia u njoftua në orët e para të së shtunës për të shtëna me armë në zonën e Troost Avenue, vetëm rreth 10 minuta larg me makinë nga qendra stërvitore e përzgjedhur nga Anglia dhe pranë hotelit ku ekipi do të akomodohet gjatë turneut.
Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët gjetën një turmë të madhe njerëzish që po shpërndahej. Fillimisht u raportua se tre gra ishin transportuar në spital për trajtim mjekësor, por më vonë autoritetet konfirmuan se gjithsej nëntë persona të rritur kishin marrë lëndime dhe ishin dërguar në spitale të ndryshme të zonës. Fatmirësisht, të gjitha plagët e raportuara nuk konsiderohen kërcënuese për jetën.
Deri më tani, policia nuk ka njoftuar për arrestime të personave të dyshuar të përfshirë në ngjarje. Megjithatë, patrullimet në zonë janë shtuar, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit vijojnë.
Vetëm javën e kaluar, autoritetet lokale përfituan një grant federal prej 17 milionë dollarësh për forcimin e masave të sigurisë gjatë Kupës së Botës 2026. Fondet synojnë rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe përmirësimin e pajisjeve të nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të turneut.
Kombëtarja e Anglisë, e cila ndodhet në Palm Beach të Floridës që prej javës së kaluar, pritet të mbërrijë në Kansas City më 13 qershor, ku do të vendoset për pjesën më të madhe të kompeticionit. Qyteti do të shërbejë gjithashtu si bazë për përfaqësueset e Argjentinës dhe Holandës.
Kansas City parashikon të presë rreth 650 mijë vizitorë gjatë Kupës së Botës 2026, një fluks i konsiderueshëm që pritet të vërë në provë kapacitetet e sigurisë dhe menaxhimit të autoriteteve lokale.







