Ballina Aktualitet “Nuk më paskan harrue”, Çun Lajçi merr ftesë simbolike nga rinia shqiptare...

“Nuk më paskan harrue”, Çun Lajçi merr ftesë simbolike nga rinia shqiptare për protestë

69
0

Çun Lajçi ka ndarë një mesazh emocional në rrjete sociale, ku tregon se është kontaktuar nga të rinj që e ftojnë të marrë pjesë në një protestë për Shqipërinë.

Sipas tij, të rinjtë e kanë ftuar ta udhëheqë simbolikisht protestën, duke e krahasuar me figura historike dhe duke theksuar dashurinë për atdheun dhe tokën shqiptare.

Lajçi shprehet i prekur nga thirrja e tyre dhe thotë se, megjithëse “sot është vonë”, ai mbetet i lidhur me vendin dhe premton se do të rikthehet sërish pranë lumenjve dhe tokës shqiptare.

Postimi i plotë:

Nuk më paskan harrue.

E paskan gjetë numrin e celularit kjo rini lulëkuqesh, me flamuj plot shqiponja.

Më thirri njani prej tyne, njani që s’përton me i pri Drinit, Vjosës, Shkumbinit e çdo rrjedhe që buron prej zemrës shqiptare.

— Bac,

ti ishe në protestën e gjashtë, por ah, vaj medet që s’të njoftëm e ike pa ta thirrë emnin këto shqipet tonat.

A mund ta kemi nderin me t’pasë sot në ballë të kësaj rinie që rreh për Shqipninë?

Si Isa Begun të duem; jo me kobure, por me tirq e me shpirt që digjet për këtë tokë.

Me plisin mbushë me dheun e kullave të Jasharëve të duem,

si atëherë kur në altarin e lirisë ranë Ademi, Shabani e Hamza.

Si atëherë kur na jepje shpresë me fjalë që buronin prej shpirtit:

— Ky dhe nuk shitet.

Ky dhe nuk blehet.

Ky dhe vetëm bekohet me gjakun e shqiptarëve.

Prandaj eja.

Eja me plis e me atë grusht dhe,

e bekoji këta zogj shqipesh që s’duen lekë, por atdhe;

që s’dinë ç’është luksi, por dinë ç’është toka e të parëve.

Eja e na beko.

Thuaju se Zverneci e Shqipnia

janë dheu i atit e i birit të shenjtë.

Oh, sa u gëzova!

Thashë me vete:

Nuk më paskan harrue bijtë e bijat e shqipes.

— Sot asht vonë, — u thashë.

Por nesër, a mbasnesër,

prap do të lahem në dallgët e lumejve të Shqipnisë,

aty ku çdo gur flet shqip

e ku dheu ende mban erën e të parëve.