Artikulli i fundit i Fred Abrahams, “Shqipëria, kur fluturojnë flamingot”, ka një domethënie jo vetëm për kritikat e ashpra ndaj projekteve turistike në Nartë dhe Sazan, por edhe për faktin se autori nuk ka qenë kurrë pjesë e kampit tradicional kundër Edi Ramës.
Abrahams njihet prej vitesh si një figurë e afërt me qarqet ndërkombëtare të shoqërisë civile të lidhura me George Soros dhe si një nga zërat që shpesh ka mbajtur qëndrime pozitive ndaj zhvillimeve në Shqipërinë e pas viteve ’90.
Në vitin 2015, vetë Edi Rama promovoi në ambientet e Kryeministrisë librin e tij “Shqipëria Moderne: Nga Diktatura në Demokraci”, një nder që rrallë u bëhet autorëve që nuk gëzojnë respekt dhe afërsi me qeverinë.
Pikërisht për këtë arsye, artikulli i tij i fundit merr një domethënie të veçantë politike.
Megjithëse nis me protestat kundër projekteve të familjes Kushner-Trump në jug të vendit, shkrimi shndërrohet shpejt në një kritikë të gjerë ndaj modelit politik dhe ekonomik të ndërtuar gjatë viteve të qeverisjes Rama.
Sipas Abrahams, qytetarët nuk po protestojnë thjesht për një lagunë apo për flamingot e Nartës. Ai citon një organizatore të protestës e cila deklaron: “Ne nuk po mbrojmë vetëm mjedisin. Ne po mbrojmë proceset tona demokratike.”
Për autorin, problemi nuk është vetëm projekti në vetvete, por mënyra se si merren vendimet në Shqipëri. Ai shkruan se projekte të tilla avancojnë zakonisht: “pa transparencë, konsultim apo debat publik.”
Më tej, Abrahams ndalet te korrupsioni dhe klima ekonomike në vend. Duke cituar Raportin e Klimës së Investimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit, ai rikujton se investitorët ankohen për: “korrupsion, duke përfshirë sektorin publik, gjyqësorin, prokurimet publike, konkurrencën e padrejtë dhe të shtrembëruar, ekonominë e madhe informale, pastrimin e parave, ndryshimet e shpeshta në legjislacionin fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave.”
Në një nga pasazhet më të forta të artikullit, Abrahams shkruan se: “Sistemi aktual ekonomik në Shqipëri mund të jetë në fakt më i keq” sesa ai që çoi në katastrofën e vitit 1997.
Arsyeja, sipas tij, është ekzistenca e: “fluksit të dukshëm të parave nga kontrabanda, trafikimi dhe pastrimi i parave.”
Kjo është akuza më e rëndë politike e artikullit. Edhe pse Abrahams nuk përdor termin “narkoshtet”, përshkrimi që ai bën për ekonominë shqiptare përfshin pothuajse të gjithë elementët që zakonisht përdoren për të karakterizuar një shtet ku paratë e pista dhe krimi i organizuar kanë ndikim të madh mbi zhvillimet ekonomike dhe politike.
Autori shkon më tej kur kritikon edhe mënyrën sesi trajtohen kundërshtarët e projekteve. Ai kujton se Rama i ka cilësuar protestuesit si pjesë të një: “lufte hibride” dhe si bashkëpunëtorë të: “armiqve të Shqipërisë”, një retorikë që sipas tij të kujton propagandën e periudhës komuniste.
Në një tjetër krahasim goditës, Abrahams shkruan se Enver Hoxha ndërtoi bunkerë për t’u mbrojtur nga armiqtë imagjinarë, ndërsa përgjigjja e Ramës ka qenë ndërtimi i: “vendpushimeve luksoze dhe rrokaqiejve të shkëlqyeshëm” që sipas tij janë të paarritshëm për shumicën e shqiptarëve.
Ai argumenton gjithashtu se qeveritë perëndimore kanë zgjedhur prej vitesh stabilitetin përpara demokracisë dhe kanë mbyllur sytë ndaj: “autokracisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar.”
Madje, Abrahams paralajmëron se modeli aktual ekonomik mund të jetë më problematik se ai që parapriu krizën e vitit 1997, pikërisht për shkak të rolit që luajnë kontrabanda, trafikimi dhe pastrimi i parave.
Në fund, artikulli i fundit i Fred Abrahams, nuk është më një histori për flamingot, Nartën apo Sazanin. Është një aktakuzë politike ndaj mënyrës se si qeveriset Shqipëria. Dhe pesha e kësaj kritike shtohet nga fakti se ajo nuk vjen nga një figurë e identifikuar tradicionalisht me opozitën, por nga një autor që për vite me radhë është konsideruar pjesë e të njëjtit univers politik e intelektual që ka mbështetur Shqipërinë gjatë epokës Rama.
Kur edhe një zë si Fred Abrahams shkruan për korrupsion, pastrim parash, trafikim, krim të organizuar, mungesë transparence dhe degradim të proceseve demokratike, atëherë debati nuk kufizohet më te një resort, një lagunë apo disa flamingo. Debati kalon te vetë modeli i shtetit që është ndërtuar në Shqipëri gjatë dekadës së fundit.







