Kardinali 97-vjeçar Ernest Simoni Troshani udhëhoqi Meshën e Shenjtë në ambientet e ish-burgut të Spaçit, vend ku dikur vuajti dënimin gjatë diktaturës komuniste. Me këtë rast, Papa Leoni XIV dërgoi bekimin e tij apostolik për meshën e kremtuar nga kardinali shqiptar.
Në këtë vend, ku kaloi vite të vështira burgimi, Kardinali Ernest Simoni u rikthye me një mesazh besimi, paqeje dhe kujtese, duke kremtuar meshën në praninë e një numri të madh pjesëmarrësish nga vende të ndryshme.
Gjatë meshës, ai mbajti edhe një fjalim disa minutësh, ku ndau reflektime mbi vuajtjet e së kaluarës dhe sfidat e botës së sotme.
Në ceremoni morën pjesë drejtues të Kishës Katolike, përfaqësues të besimeve të tjera fetare në Shqipëri, autoritete vendore, deputetë, si dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në vend.
Në këtë aktivitet, njëri prej ish-të përndjekurve politikë vendosi të rrëfente vuajtjet e përjetuara gjatë regjimit komunist dhe kujtimet e tij me Dom Ernest Troshanin.
Ai tregoi se dëgjimi i “Zërit të Amerikës” dhe Radios së Vatikanit, si edhe pjesëmarrja në meshën e vitit 1967 në Kishën e Madhe, u pasuan nga terrori i Sigurimit të Shtetit, torturat dhe humbja e klerikëve tanë, duke sjellë në kujtesë një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit.
Nga një vend vuajtjesh dhe persekutimi, Spaçi u kthye sot në një vend lutjeje dhe kujtese, ku besimi, historia dhe dëshmitë e të mbijetuarve u bënë një mesazh për të mos harruar kurrë të shkuarën.
Në këtë ditë nuk mungoi as mesazhi i Atit të Shenjtë, Papa Leone XIV, i cili u lexua gjatë ceremonisë.
Letra e plotë e Pape Leones
Vëlla i nderuar,
me një mallëngjim të thellë bashkohem shpirtërisht me Eminencën Tuaj dhe me të gjithë ata që janë mbledhur në ish-kampin e burgimit të Spaçit, ku Ju ktheheni pas kaq vitesh për të kremtuar Eukaristinë, Sakrificën e Krishtit, e cila e shndërroi Kryqin nga shenjë vdekjeje në premtim jete.
Ai vend, i gdhendur në kujtesën e popullit shqiptar, mbetet një prej faqeve më të dhimbshme të historisë së tij. Spaçi ka qenë një vend ku shumë njerëz kanë mbartur kryqin e rëndë të padrejtësisë; gjaku i atyre që kanë vuajtur dhe kanë vdekur mes atyre maleve e ka ujitur atë tokë, duke e bërë një dëshmi të heshtur besnikërie, guximi e shprese. Sa shumë lutje do të jenë ngritur drejt Qiellit nga ai vend! Sa përgjërime janë pëshpëritur në zemër! Sa shumë njerëz, të shënuar nga mundimi dhe privimet, ia kanë besuar Zotit shpresën e tyre të fundit!
Memoria na e kujton se asnjë zinxhir nuk është aq i fortë sa të burgosë një ndërgjegje të ndriçuar nga Ungjilli, asnjë natë nuk është aq e gjatë sa të pengojë agimin që Zoti përgatit për bijtë e Vet dhe asnjë burg nuk është aq i thellë sa ta ndajë njeriun nga dashuria e Hyjit (krh. Rom 8,35-39).
Bashkohem në lutje për ata që kanë vuajtur dhe kanë vdekur në Spaç, që kujtimi i tyre të mbetet i gjallë dhe të jetë për brezat e rinj një thirrje e vazhdueshme për të respektuar dinjitetin e pacenueshëm të personit njerëzor, vlerën e lirisë dhe angazhimin për paqen.
Të gjithë të pranishmit ia besoj ndërmjetësimit të së Lumes Mari Virgjër, Nënës së Shpresës, dhe, duke ju siguruar se do t’ju kujtoj në lutje, i jap me gjithë zemër Eminencës Suaj dhe të gjithë pjesëmarrësve në kremtim Bekimin Apostolik të kërkuar.
Nga Vatikani, më 30 korrik 2026
LEONI PP. XIV







