Gjykata në Prishtinë ka caktuar 30 ditë paraburgim për dy serbë, të dyshuar për krime lufte gjatë luftës në Kosovë, pasi pranë Zubin Potokut u zbuluan varre me mbetjet mortore të 23 personave.
Dyshohet se mbetjet i përkasin 23 civilëve shqiptarë, të cilët u rrëmbyen më 19 prill 1999 në Mitrovicë nga forcat serbe dhe që prej asaj kohe konsideroheshin të zhdukur.
Gjatë viteve 1990, regjimi jugosllav ua kufizoi gradualisht të drejtat shqiptarëve të Kosovës dhe i përjashtoi nga jeta publike. Në luftën e vitit 1999, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) luftoi kundër forcave serbe.
Familjet do të njoftohen pas identifikimit
Pas ndërhyrjes së NATO-s, represioni ndaj shqiptarëve të Kosovës mori fund dhe forcat serbe u tërhoqën. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë bëri të ditur se fillimisht do të informohen familjet e të zhdukurve, nëse konfirmohet se mbetjet mortore u përkasin personave të rrëmbyer më 19 prill 1999.
Kërcënime ndaj policisë
Një polic që siguronte vendin e zhvarrimeve në Mala Kalludra, pranë Zubin Potokut, u kërcënua pasi fotografia e tij u publikua në rrjetet sociale së bashku me një mesazh kërcënues.
Profili që publikoi fotografinë lidhet me organizatën radikale nacionaliste serbe “Brigada e Veriut” (Nordbrigade), të cilën Qeveria e Kosovës e ka shpallur organizatë terroriste.
Në shtator 2023, pjesëtarë të grupeve paramilitare serbe të lidhur me këtë organizatë kryen sulmin terrorist në veri të Kosovës, ku u vranë katër persona, përfshirë një polic të Kosovës.
Mbi 13 mijë viktima të luftës
Instituti për Krimet e Luftës në Kosovë publikoi këtë javë një listë me 13.227 persona të vrarë, të zhdukur ose të regjistruar si të vdekur gjatë periudhës janar 1998 – dhjetor 2000.
Sipas raportit:
-1.047 fëmijë u vranë;
-94 fëmijë humbën jetën si pasojë e luftës;
-100 fëmijë vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.
Raporti thekson gjithashtu se gjatë dhe pas luftës viktima të krimeve u bënë edhe serbë, kryesisht nga veprime të pjesëtarëve të UÇK-së, ndërsa komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian ishin veçanërisht të rrezikuara.
Kurti: “Nuk ka drejtësi pa të vërtetën”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi: “Nuk ka drejtësi pa të vërtetën, nuk ka shërim pa drejtësi dhe nuk ka të ardhme të qëndrueshme pa kujtesë. Ky raport është një dëshmi institucionale e çmimit të lartë të lirisë që gëzojmë sot. Ai përfaqëson njerëz, jetë, familje dhe histori që nuk mund të reduktohen në shifra, por që shteti ynë duhet t’i dokumentojë me dinjitet dhe përgjegjësi.”
Ndërkohë, në Serbi krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 1990 shpesh mohohen ose madje glorifikohen. Së fundmi, ministrja serbe për Administratën Publike dhe Vetëqeverisjen Lokale, Snezana Paunovic, deklaroi se, po të kishte qenë në vend të ish-presidentit Slobodan Miloshevic në vitin 1998, do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë.







