Ballina Aktualitet Jo vetëm SPAK, edhe prokuroritë e rretheve rritën përgjimet në 2025 për...

Jo vetëm SPAK, edhe prokuroritë e rretheve rritën përgjimet në 2025 për gjurmimin e veprave penale

107
0

Lufta kundër kriminalitetit kompleks po kërkon gjithnjë e më shumë hetime që shkojnë përtej metodave tradicionale. Raporti i Ministrisë së Drejtësisë për zbatimin e rekomandimeve prioritare të Këshillit të Ministrave nga organi i prokurorisë për vitin 2025 tregon se një nga drejtimet kryesore të punës ka qenë përdorimi më i madh i metodave bashkëkohore të hetimit, si përgjimet, mbikëqyrja elektronike, analizat financiare dhe teknologjitë digjitale për administrimin e provave.

Këshilli i Ministrave kishte rekomanduar për vitin 2025 që prokuroritë të intensifikonin përdorimin e metodave moderne të hetimit, gjithashtu rritjen e rasteve të përdorimit të metodave bashkëkohore  në zyrat e prokurorisë, si dhe përdorimin më të gjerë të teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale, për analizimin dhe kryqëzimin e të dhënave.

Gjatë vitit 2025, Prokuroria e Posaçme ka përdorur metodën e përgjimit në 186 procedime penale, ku janë interceptuar 3004 pajisje fundore. Krahasuar me vitin 2024, rezulton një rritje me 23 procedime më shumë ku është përdorur metoda e përgjimit, ose një rritje prej 14.1%. Nga ana tjetër, numri i pajisjeve fundore të interceptuara ka rënë me 95 pajisje më pak, ose 3% më pak se një vit më parë.

Po kështu, nga raporti del se Prokuroria e Përgjithshme, ka parashikuar kryerjen e një analize teknike dhe buxhetore për pajisje teknologjike dhe softuerë të avancuar në shërbim të procesit hetimor.

Në këtë kuadër prokuroria ka investuar edhe në përmirësimin e infrastrukturës së teknologjisë së informacionit dhe ka rritur përdorimin e teknologjive të reja, me qëllim analizimin dhe kryqëzimin më të shpejtë e më efikas të të dhënave.

Përveç metodave të posaçme të hetimit, si përgjimet telefonike, vëzhgimet, kontrollet, simulimet, sekuestrimi i provave materiale, letërporositë dhe përdorimi i agjentëve të infiltruar, raporti thekson se është zgjeruar edhe përdorimi i mbikëqyrjes elektronike, analizave financiare dhe teknologjive digjitale për menaxhimin e provave.

Në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, bashkëpunimi me policinë gjyqësore, Policinë e Shtetit dhe agjencitë e zbatimit të ligjit ka qenë një tjetër element i rëndësishëm. Sipas raportit, gjatë vitit 2025 janë kryer hetime proaktive dhe/ose me përdorim të mjeteve të posaçme të hetimit në kuadër të 387 procedimeve penale.

Këto hetime kanë shërbyer për parandalimin ose ndërprerjen e mëtejshme të veprimtarisë kriminale, si dhe për goditjen dhe finalizimin e rasteve me arrestimin në flagrancë apo ndalimin e 260 personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale në kompetencë të prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm.

Raporti pranon se kriminaliteti është bërë më i organizuar, më teknologjik dhe më i vështirë për t’u gjurmuar. Përdorimi i përgjimeve, analizave financiare, hetimeve proaktive dhe teknologjive dixhitale nuk shihet më si mjet ndihmës, por si pjesë thelbësore e hetimeve për çështjet komplekse. Megjithatë, sfida mbetet që këto metoda të shoqërohen me kapacitete më të forta teknike, më shumë trajnim për prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore, si dhe investime të qëndrueshme në teknologji. /ekofin.al