Ballina Aktualitet Politico.eu: Kryeministri i Shqipërisë, Rama, sulmon protestuesit e ‘flamingove’

Politico.eu: Kryeministri i Shqipërisë, Rama, sulmon protestuesit e ‘flamingove’

99
0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sulmoi të dielën atë që quhet “Revolucioni i Flamingove”, duke kritikuar veprimet e turmës dhe duke iu referuar një grupi protestuesish si “hajvanë” — një term shqip që nënkupton afërsisht “budallenj” ose “të pamend”.

Në podkastin e tij javor, Rama tha se e konsideron të papranueshme që një pjesë e protestuesve kanë bërë thirrje për bojkotimin e koncerteve të këngëtarëve të njohur, për shkak se këta të fundit kanë refuzuar të shprehen publikisht për demonstratat në vazhdim. Ai gjithashtu kritikoi atë që e quajti “dhunë online” dhe kërcënimet ndaj personave që kanë zgjedhur të mos mbajnë qëndrim publik lidhur me protestat.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur trazirat politike kanë hyrë në ditën e 14-të radhazi, ndërsa shqiptarët mbushën Tiranën gjatë fundjavës në demonstratën më të madhe deri tani, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit. Protesta e së shtunës mblodhi sipas vlerësimeve mes 100 mijë dhe 200 mijë pjesëmarrës. Demonstratat kanë mbetur paqësore, me pjesëmarrjen e fëmijëve, të moshuarve dhe familjeve, madje duke përfshirë edhe një hapësirë ku fëmijët mund të vizatonin dhe pikturonin.

Tashmë në javën e dytë radhazi, protesta është shndërruar nga një lëvizje që kërkonte anulimin e një resorti luksoz të lidhur me Jared Kushner, në një nga demonstratat më të mëdha kundër qeverisë që Shqipëria ka parë që nga rënia e komunizmit në vitin 1991.

Rama dënoi gjithashtu një slogan të përdorur gjatë protestave, sipas të cilit “Shqipëria u përket shqiptarëve”. Ai tha se kjo tingëllon sikur “të nënkuptojë se kushdo tjetër jashtë kësaj nuk është i mirëpritur — ashtu si Gjermania ishte ‘për gjermanët’ dhe më pas u bë ‘delja e zezë’ e Europës për shumë e shumë vite”.

Demonstratat në mbështetje të “Revolucionit të Flamingove” pritej të vazhdonin si në Tiranë ashtu edhe në vende të tjera të botës gjatë së dielës, me tubime të planifikuara nga Nju Jorku dhe Berlini deri në Vjenë e Londër./Përktheu Alfapress.al