Ballina Opinion Dhe tani paguajmë qiranë për varrin që hapëm vetë

Dhe tani paguajmë qiranë për varrin që hapëm vetë

106
0

Nga Jonida Cobani Gjoka

Investitori nuk zbriti me helikopter natën të na marrë tokën. E thirrëm vetë me telefon. Na trokiti në derë dhe tha sa e do këtë toke buzë detit, lumit, malit. Ne thamë po rri djerrë s’po na jep bukë më mirë lekë në dorë.

E shitëm për çmimin e një makine. Ai nesër derdhi beton dhe e quajti resort me pesë yje. Na pyeti për pyllin sipër fshatit, ne thamë ashtu e kemi lene djerre qe nga gjyshi po s’po na duhet se na i pret rruga. Morëm nga pesë milionë lekë të vjetra për dynym. Ti more preve lisat për dru zjarri dhe Ai ngriti gurore.

Tani kur bie shi, balta na hyn në shtëpi. Na tha dua shtratin e lumit për inerte. Ne thamë veç gurë janë ç’na duhen më mirë të pastrohet. Firmosëm tek noteri dhe pimë nga një kafe.

Ai e gërryeu lumin dhe tani vërshon dhe merr urën çdo dimër. I thamë duam punë për djemtë. Ai tha mirë po më jepni leje të ndërtoj pa plan. Ne i bëmë një protestë fallco për kamerat dhe heshtëm.

Ai ngriti pallat mbi rërë dhe kur ra tërmeti u shemb. Djemtë mbetën pa punë dhe pa shtëpi. I shitëm bregun se na premtoi shëtitore. Morëm nga një apartament për fëmijët. Ai e rrethoi me gardh dhe na vuri tabelë privat. Tani paguajmë shezlonin për të parë detin që ishte i babës.

I dhamë tokën e bukës për një hidrocentral. Na tha do keni drita falas. Tani lumi u tha, bagëtia ngordhi dhe faturën e dritës e kemi më të kripur. Po firmën e hodhëm vetë në bashki. Dhe sot dalim në proteste, Instagram, Facebook bëjmë video, shajmë e mallkojme.

Po harrojmë kontratën që e kemi në sirtar. Harrojmë gishtin që e ngjyen në bojë ditën e zgjedhjeve. Harrojmë kafen që pimë kur morëm paradhënien.

Krimi natyror nuk filloi me eskavatorin. Filloi me lapsin që firmosi shitjen. Me fjalën s’po na duhet kjo tokë më mirë lekë. Me mendimin le ta hajë ai vetëm të më japë hisen.

Tani toka hakmerret, jo investitori. Lumi del nga shtrati se ia morëm frymën. Mali rrëshqet se ia premë këmbët. Ajri djeg se ia dogjëm mushkëritë. Dhe ne akoma themi na e bënë.

Po e vërteta është e pamëshirshme. Ne e shitëm. Ai e bleu. Toka vdiq.

Dhe tani paguajmë qiranë për varrin që hapëm vetë.