Ballina Kulturë “Guri i shkulur”, si reflektim i thellë i poetit Beshir Cala

“Guri i shkulur”, si reflektim i thellë i poetit Beshir Cala

123
0

Dhjetra personalitete akademike dhe të letrave vlerësojnë librin e ish – drejtuesit të institucioneve kryesore kulturore të Ushtrisë Shqiptare

Nga Halil Rama Mjeshtër i Madh

       

Prof.dr. Bujar Kapexhiu – Nderi i Kombit, Prof. dr. Petrit Bara, Arben Mevlani e Sakip Cami, flasin në dokumentarin kushtuar Beshir Calës (pas vdekjes)…

Libri më i ri i autorit Beshir Cala, “Guri i shkulur”, ka bërë bashkë në Akademinë e Shkencave te Shqipërisë, akademikë dhe miq të letrave në një promovim të mbushur me emocione, të organizuar nga OBVLP dhe Shtëpia Botuese “Univers”.

Siç vlerësuan personbalitete të letrave, “Guri i shkulur” vjen si një reflektim i thellë mbi rrënjët, identitetin dhe peshën e vendlindjes. Përmes një stili të spikatur publicistik dhe dokumentar, autori Cala që ka drejtuar për 40 vjet me talent, kompetencë dhe profesionalizëm institucionet më të rëndësishme kulturore të Ushtrisë Shqiptare (ish- Estradën e Ushtarit dhe Shtëpitë e Kulturës së Ushtarakëve Tiranë, Durrës e Gjirokastër) – sjell para lexuesit një meditim të ndjerë mbi fatin e njeriut përballë largimit nga trungu i tij. Kësisoj, Cala ka gjetur një gjuhë mjaft universale për të prekur një plagë të hershme dhe aktuale. Me një mesazh të qartë dhe vlera të shtuara për poezinë shqiptare, “Guri i shkulur” tashmë ka nisur rrugëtimin e tij drejt lexuesit.

DOKUMENTARI….

         

Qindra pjesëmarrësit në promovimin e librit “GURI i SHKULUR” të Beshir Calës, ndoqën në fillim të këtij eventi dokumentarin kushtuar këtij personaliteti të shquar të artit, kulturës e letrave. Përveçse në fjalën artistike (sipas skenarit tim), për profilin jetësor dhe krijues të këtij shkrimtari dhe artisti, flasin në këtë dokumentar personalitete të njohura, si: Prof. dr. Bujar Kapexhiu – Nderi i Kombit, kompozitori i mirënjohur Edmond Zhulali – “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, Prof. dr. Petrit Bara – Zv/rektor dhe Dekan i Universitëtit “Luarasi”, poeti dhe studiuesi Sakip Cami, aktori dhe gazetari Arben Mevlani dhe kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Shqipërisë Enver Hasa.

Kapexhiu, Zhulali dhe Mevlani, ndër të tjera flasin për kohën kur Beshir Cala drejtoi me kompetencë dhe profesionalizën institucione të rëndësishme kulturore – artistike të Ushtrisë Shqiptrare, ndër të cilat Estarën e Ushtarit, si dhe Qendrat Kulturore të Ushtrisë Tiranë, Durrës e Gjirokastër, ku shërbeu me përkushtim e talent të rrallë në harkun kohor të katër dekadave (1968-1998).

Duke e vlerësuar Beshirin, një njeri të veçantë, të përkushtuar, të drejtë, të fortë, që i shkonte për shtat edhe uniforma e ushtarakut, kompozitori  i mirënjohur Edmond Zhulali, edhe sot e kujton zërin e tij të thellë, të plotë, herë i butë e herë i fortë, i qartë e me shumë emocione.

“Ndonëse me Beshirin kishim njohje të hershme si shok fëminije i vëllait tim Safet Zhulalit, apo vëllai i kolegut tim Skënder Calës, në vitet 1993 -‘’94, komunikimi jonë njohu një stad tjetër. Së bashku, ai në rolin e drejtorit të SHQUP dhe unë të drejtimit artistik, morëm detyrën e krijimit të një grupi artistik në një koncept të ri dhe në frymën e shteteve perëndimore, anëtare të NATO-s. Ishte me të vërtetë një sfidë pasi dëshira jonë ishte të ngremë një grup cilësor, ndërkohë që vështirësitë e kohës ishin të shumta. Megjithatë arritëm të krijonim orkestrën me instrumentistët më të mirë të Shqipërisë, si Dashnor Hoxha – sax, Elton Deda – piano, Arjan Gjici – kitare, Hektor Duri – bass etj; këngëtarët Adriana Ceka, Redon Makashi si dhe aktorët Met Bega, Veli Rada, Behar Mera e një grup i vogël baleti… Natyrisht, të punoje me Beshirin ishte vërtet kënaqësi. Korrektesa, maturia, zgjuarsia, thjeshtësia që e karakterizonin e bënë atë të ishte shumë i lidhur me punonjësit e të gëzonte, jo vetëm autoritet por edhe respekt të thellë njerëzor.

Beshiri i takon një brezi intelektualësh idealistë që besonin në drejtësi e demokraci e që nuk bënë kurrë kompromis me këto vlera. Ishin vitet e vështira ‘’97, e një ditë i them Beshirit: kam frikë se ndoshta mund të të lëvizin nga detyra se shumë gjëra kanë ndryshuar… Jo, tha. Unë e kam mbrojtur në ditët më të veshtira me jetën time këtë institucion … Buzëqeshja ime e bëri të ndryshojë, ndërsa iku pa folur… por më vonë më thonte: Mondi, kishe të drejtë. E kur takoheshim e pinim ndonjë kafe thonim, vërtet a ja vlen të jesh kaq i përkushtuar dhe i ndershëm në jetë?! …Akoma nuk e kam marrë këtë përgjigje në fakt. Beshiri mbetet për mua një ndër miqtë e veçantë, një intelektual, zyrtar korrekt, shok i çmuar, prind i përkushtuar, e pse jo, edhe një njeri me vlera krijuese edhe në fushën e letërsisë e aktrimit, e mbi të gjitha, njeri”, shprehet Edmond Zhulali në dokumentarin që u shfaq në këtë event promovues mbresëlënës.

Aktori, regjisori e skenaristi i mirënjohur Bujar Kapexhiu, një nga bashkëpunëtorët, shokët e miqtë e tij më të afërt, e vlerëson Beshirin si më të diturin, më të pjekurin, më të përgjegjshmin, më të mirin si njeri, më të arsyeshmin, më të përkushtuarin dhe më të vendosurin në shërbim të ushtrisë, të shoqërisë, të atdheut… Devizë e tij kjo… paçka se pak e vlerësuar zyrtarisht…

Ndërsa Sakip Cami, duke u ndalur në vlerat ideoartistike të librit “Guri i shkulur”, ndër të tjera shprehet në këtë dokumentar: “Jo vetëm historia, por edhe bukuritë magjepse të natyrës, të Korabit e të Drinit, të Setës e të kreshtave përreth, magjia e këngëve e të valleve të Dardhës ku kanë dalë njerëz të shquar të artit si Muharrem Xhediku, Hazis Ndreu, Lirie Rasha, Skënder Cala, Xhelal Çerpja, Qerim Sula, Caje Poleshi, Sherif Dervishi, e shumë të tjerë që tundën skenat e festivaleve folklorike kombëtare e deri ato ndërkombëtare, janë të gdhendura artistikisht në këtë libër”.

Kolonel Beshir Cala, me funksionin e drejtorit të Estadës së Ushtarit dhe të Qëndrës Kulturore të Ushtrisë, kontribuonte me shumë përkushtim në organizimin në institucion e jashtë tij të shumë eventeve të kohës, – artistike, letrare, shkencore, shoqërore, ushtarake, atdhetare etj, – në ndihmë e shërbim të reformimit, riorganizimit, integrimit euroatlantik të ushtrisë në kushtet e rendit të ri politiko – shoqëror… Në ato vite, siç pohon Arben Mevlani, ai dha kontribut të jashtëzakonshëm për lartësimin kulturor e mental të ushtrisë në nivelin euroatlantik, që ajo të bëhej sa më shpejt anëtare të NATO-s, organizoi e përgatiti disa aktivitete të mëdha në nivel ushtrie e shtetëror, dhe  në përbërje e drejtim të grupeve të punës për probleme të ndryshme i ra Shqipërisë tej e mbanë.

Ndërsa Enver Hasa, ndër të tjera thekson se Beshir Cala ashtu siç ishte në jetë një intelektual erudit, ikonë e artit e kulturës kombëtare, krijoi dhe një familje solide. E mbi të gjitha ishte një atdhetar i flaktë, po pa rrahje gjoksi e protagonizëm; atdhetar në gen e konsekuent, si përfaqësues tipik i karakterit dibran. Veterani Enver Hasa, përfaqësues dinjtoz i Lumës në metropolin shqiptar, ndër të tjera pohon se ai, familja dhe fisi i tij emërndritur nga Vila e Kukësit, kanë qenë dhe janë në miqësi të pandarë me Beshirin dhe familjen Cala të Dardhës.

TATJANA PARLLAKU:  BESHIR CALA ISHTE I ORIENTUAR DREJT VLERAVE EUROATLANTIKE

Kryetarja e Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të LANÇ dhe pasardhësve Tatjana Parllaku Çarkaxhiu shprehu kënaqësinë e veçantë që, në cilësinë e drejtueses së kësaj organizate ishte pjesë e përurimit të vëllimit poetik të autorit Beshir Cala, “Guri i Shkulur”. Duke folur për formimin e Beshirit si një atdhetar dhe intelektual i shquar ajo tha se “Patriotizmi dhe atdhedashuria e tij u edukuan dhe u trashëguan nga familja e tij. Që në fëmijëri ai spikati për vlerat dhe formimin e tij, veçanërisht pas kthimit të familjes nga Tirana në Lugjaj të Zall-Dardhës, Dibër, kur ai vazhdoi shkollën e mesme pedagogjike në Peshkopi dhe, pas përfundimit të saj me rezultate të shkëlqyera, punoi si mësues i gjuhës dhe leximit letrar, duke edukuar te nxënësit e Zall-Dardhës dashurinë për atdheun, lirinë dhe gjuhën e bukur shqipe. Në këto vite filluan të shfaqeshin vlerat e tij krijuese dhe artistike, të cilat e shoqëruan edhe gjatë shërbimit ushtarak, ku u dallua për vullnetin në kryerjen e detyrës dhe përkushtimin në organizimin e veprimtarive të rëndësishme kulturore e artistike të ushtrisë. Kjo bëri që atij t’i jepej grada e oficerit dhe të transferohej si Përgjegjës Kulture në Shtëpinë e Oficerëve të Durrësit, të cilën e transformoi brenda një periudhe të shkurtër në qendrën kulturore më të rëndësishme të ushtrisë shqiptare”.

Dashuria për arsimin dhe dijen triumfoi kur, në vitin 1971, Beshiri fitoi konkursin e Institutit të Lartë të Arteve, sot Universiteti i Arteve në Tiranë, të cilin e përfundoi me sukses në vitin 1975, duke u diplomuar si aktor.

Pas studimeve të larta, ai punoi si përgjegjës i Shtëpisë së Ushtarakëve në Gjirokastër, të cilën, përsëri, brenda një kohe të shkurtër, e shndërroi në një qendër të rëndësishme kulturore të ushtrisë shqiptare. Më pas, ai u transferua në Tiranë si shef i veprimtarive kulturore dhe artistike, ku u dallua veçanërisht pranë Estradës së Ushtarit, ku me karakterin e tij frymëzues dhe origjinal, si edhe me muzikalitetin e tij letrar, që buronte natyrshëm, i jepte vlerë e hijeshi çdo materiali artistik të përgatitur me shumë kujdes prej tij. Më vonë, ai shërbeu për shumë vite si drejtor i SHQUP-it, qendrës më të madhe kulturore dhe artistike të Ushtrisë Shqiptare.

Unë pata fatin ta njoh nga afër kur, në vitin 1994, ai u zgjodh Sekretar i Shoqatës Shqiptare të Atlantikut, me President zotin Alfred Moisiu, i cili më vonë do të bëhej President i Republikës së Shqipërisë. Në këtë detyrë, ai shpalosi vlerat e tij euroatlantike dhe perëndimore, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në veprimtari me karakter kombëtar në kuadër të NATO-s dhe më gjerë”, tha Znj. Parllaku. Ajo vlerësoi gjithashtu redaktorin e shquar, Mjeshtrin e Madh, Halil Rama, falë punës së palodhur të të cilit lexuesi ka mundësinë të njohim poezitë e Beshirit, ku vërshojnë mendimet dhe ndjenjat e tij, si dhe përpjekja e pandërprerë për të ruajtur të paprekura dashurinë për atdheun, gjuhën shqipe, familjen dhe vendlindjen.

Tatjana Parllaku që në vitet e rinisë së saj ka qenë një mësuese shembullore, vlerësoi veçanërisht peshën e mendimit filozofik në poezitë e këtij libri, i cili mbetet aktual edhe në ditët tona. Këtë, tha ajo e gjejmë, ndër të tjera, në poezinë Fati, ku shkruan:

Si nuk u bëra një ditë rehat,/ Kokën në jastëk kurrë s’e kam vënë./ Të rroj si qeni e pata fat,/ Më doli gjumi pa më zënë.” (fq.74).

Po aq domethënëse sipas znj. Parllaku është edhe poezia Jeta qenka një batak, ku autori shprehet: “Jeta qenka një batak/ Ku për të arritur te lumturia,/Duhet të shkelim njëri-tjetrin/ Vallë, përse lindim fëmijët tanë,/Kur s’e dimë fundin e tyre?/ Ndoshta shpresat për një ndryshim tjetër/ E bëjnë jeten një refren të përjetshëm”. Fq. 131).

PESHA E MENDIMIT FILOZOFIK NË LIBRIN “GURI I SHKULUR”

   

Kur Luan Cala, më besoi redaktimin e librit me poezi të babait të tij, Beshirit, nuk hezitova sepse me të kam patur njohje të herëshme. Në kontaktet me të, (sa qe gjallë Beshiri – një emër i njohur ndër miqtë e tij të shumtë artistë e shkrimtarë në Tiranë e në rrethe të ndryshme të vendit, si në Gjirokastër, Durrës, Peshkopi, etj), kam patur rastin të njihem edhe me disa poezi të tijat në dorëshkrim, të cilat i vlerësoja për mendimin e thellë dhe mjeshtrinë artistike befasuese. Të njejtën ndjesi provova edhe me kompjuterizimin dhe njëherësh redaktimin e vëllimit të tij poetik “GURI I SHKULUR”. Që në fillim dua të pohoj se si redaktor i tij, u ndjeva mirë, që në këtë sprovë isha në të njejtën linjë me miqtë e mi poetë: Shpendi Topollaj, Vasil Prençi e Sakip Cami, tre shkrimtarë të mirënjohur ish – ushtarakë, që e kanë njohur nga afër autorin e këtij libri, vlerësimet e të cilëve janë në kapitullin: “Kritika letrare për poezinë e Beshir Calës”. Kështu, Shpendi Topollaj, duke parë metaforat e figurat e zgjedhura letrare, konkludon se “ky autor e njeh mirë poezinë dhe rregullat e saj metrike, ndonëse shpesh përdor edhe vargun e çrregullt”…dhe se “Duke qenë spontan, pra duke i kushtuar më shumë vëmendje kumtit, ai na shfaqet krejt i natyrshëm, dhe pikërisht kjo natyrshmëri i shton hijeshinë vargjeve të tij”. Po ashtu, Vasil Premçi vlerëson se “Në poezinë e Beshir Calës, realiteti nuk zbukurohet — ai pranohet siç është: i ashpër, i thyer, shpesh i dhimbshëm, por gjithmonë i vërtetë. Që në kontaktin e parë me këto vargje, ndjehet një realizëm i hidhur, një ndjesi se jeta nuk filtrohet, por rrëfehet në gjendjen e saj më të zhveshur”. Kësisoj, më shumë se sa për titullin intrigues, ky libër të tërheq që në fillim dhe të mbërthen në leximin e të gjitha poezive, për vetë formën e veçantë kompozicionale me tre kapitujt e tij: “Poezi të zgjedhura”, “Poezi njëstrofëshe” dhe “Refleksionë në vargje”.

Në vëllimin “Guri i shkulur”, malli dhe dashuria për atdheun, prindërit dhe vendlindjen, shprehur me mjeshtëri artistike, me një gjuhë të pasur dhe figuracion të zgjedhur poetik, herë si një trishtim i lehtë, herë si një klithmë e thellë shpirtërore, përshkon si një fill i blertë dhjetra vjersha të librit. Në to vërshojnë mendimet dhe ndjenjat e gjalla të njeriut, përpjekjet për të ruajtur të paprekur dashuritë nga dora rrënimtare e së keqes. Më të dukshme këto në poezitë njëstrofëshe me titujt: “SOFRA VIRANE”, “SA PAK LUMTURI”, “LËMA”, “SI TURIST TË VIJA”, “SA SHUMË I PASKAM RËNDUAR KËSAJ TOKE”, etj. Mjaftojnë qoftë edhe vetëm këto poezi për të vlerësuar peshën e mendimit filozofik në poezinë e Beshir Calës.

Në promovimin e këtij libri, shkrimtari i mirënjohur Shpendi Topollaj (autor i mbi 70 librave të gjinive të ndryshme letrare), ndër të tjera: “Kur rasti e solli tani që Beshir Cala s`është më, që të ritakohesha me të, duke lexuar poezitë e tij të dikurshme, që m`i solli miku im Halil Rama, kuptova se intuita ime nuk kishte gabuar aspak.  Ai ndofta i kishte shkruar ato jo për t`i botuar ndonjëherë, por ashtu, sa për t`i dhënë shfrim ndjenjave, mbresave dhe emocioneve të tij, por ato tregonin më së miri se Beshiri ishte njeri me kulturë dhe sidomos me një zemër të pastër e të ndjeshme, me një zemër që i donte njerëzit dhe vetë jetën”.

Për vlerat ideoartistike të librit “Guri i shkulur” të Beshir Calës, foli edhe poetja, prozatorja dhe analistja e mirëfilltë e letërsisë EMRIE KROSI (e vlerësuar si një aset i çmuar i kritikës letrare” e cila u ndal veçanërisht në kapitullin e dytë “Poezi njëstrofëshe”.

Parë nga një këndvështrim i përgjithshëm, ky libër bart vlera shumëdimensionale, jo vetëm për lëndën tejet të pasur e të larmishme, por parasëgjithash për stilistikën e veçantë të këtij autori, gjuhën e pasur dhe mjetet shprehëse domethënëse.

BESIM NDREGJONI: BESHIR CALA RRESHTOHET ME ELITËN KRIJUESE KOMBËTARE

       

Presidenti i Unionit të të Përndjekurve Politikë Besim Ndregjoni, ndër të tjera tha se i ka  lexuar me një frymë poezitë e librit “Gur i shkulur”. Ai e vlerësoi Beshir Calën një poet që i këndon natyrës, vendlindjes, dashurisë, familjes… “Mbi të gjitha poeti Cala e paraqet ‘gurin e shkulur’ jo si përdorim të metamorforzës që “shkulet”,  por kudo që shkon ai ka peshën e tij kulturore – artistike, që shëtit por nuk shkulet për t’u harruar!”.

Duke veçuar poezinë “Sikur”, Ndregjoni thotë se poeti vërtetë i këndon Gjirokastrës, qytetit të kalldrëmeve, por i shton këtij qyteti edhe Korabin madhështor të Dibrës, vendlindjes nga vinte autori.

Beshir Cala nuk harron që t’iu thur poezi, artistëve me përmasa botërore që i dënoi diktatura komuniste, si artistit të madh, tenorit të përmasave artistike botërore Lluk Kaçaj. Po ashtu, mes poezive brilante që vërshojnë si valët e Drinit, ai thur elegjinë kushtuar djalit të tij që humbi jetën në vitin 2000.  Thjeshtësia dhe dashuria njerëzore e Beshir Calës tregohen dhe në poezitë e tij të botuara mbas kalimit në amshim! Poezia e tij do të krenojë jo vetëm Dibrën por mbarë kombin shqiptar! Një nderim meriton kam dhe për redaktorin, studjuesin Halil Rama – Mjeshër i Madh, që i ka sistemuar dhe ndarë në disa kapituj këto poezi, duke i bërë për lexuesin të dashura dhe të kuptueshme. Beshir Cala rreshtohet në poezi me poetët tanë kombëtar. Poezinë e tij ai e shtron në sofrën dibrane dhe e lartëson në piedestalin kombëtar si një  krijues i paarritshëm në letërsinë kombëtare”, tha ndër të tjera Besim Ndregjoni në fjalën e tij.

Prof. asoc. dr. HAJRI MANDRI, në fjalën e tij gjatë promovimit të librit, tha se nuk ka më bukur se ta kujtojmë Beshir Calën, këtë personalitet të shquar të kulturës tonë kombëtare, i cili në gjysëm shekulli kontribuoi në organizime kulturore si aktor dhe regjisor profesionist. Duke diskutuar poezitë që ka lënë në dorëshkrim dhe që redaktori Halil Rama dhe djali i tij, Luan Cala na i sjellin të plota në këtë vëllim poetik, Mandri gjykon se ato janë  biografi estetike që pasqyron botën e tij të ndjenjave dhe emocioneve, të bindjeve dhe qëndrimeve, të zgjidhjeve të mençura në situate të ndërlikuara e të vëshirta të jetës.

“Personaliteti dhe formimi i tij kulturor nuk erdhi nga hiçi, por nga konteksti kulturor familjar brenda familjes së Selman Calës nga Lugjej Dibër, një familje e rrallë dibrane që gjeneronte fuqishëm edukim estetik”, tha  prof. Mandri.

MODERIMI MJESHTËROR DHE INTERPERETIMI I POEZIVE TË BESHIRIT

     

Aktori, regjisori e skenaristi Llesh Nikolla – Mjeshtër i Madh, jo vetëm në profesionin e tij por mbi të gjitha si njeri, edhe në moderimin e këtij eventi përcolli me mjeshtri të rrallë artistike emocione, duke ngritur peshë zemrat e qindra pjesëmarrësve nga kryeqyteti dhe jo vetëm, por edhe nga Dibra, Durrësi, Lezha e Shkodra. Dhe jo vetëm me moderimin, por edhe me interpretimin e poezive të librit “Guri i shkulur” të poetit Beshir Cala, si: “Unë dhe qyqja”, “Trishtim”, “Kanarina”, “Një jetë do pres”, “Në thellësi të tokës”, “Mysafiri” etj, duke përcjellë për qindra pjesëmarësit në promovim mesazhet e fuqishme të poezive të këtij autori.

Edhe aktori Arben Mevlani interpretoi me ndjenjë disa poezi të librit “Guri i shkulur”, por ajo që befasoi të pranishmit në këtë event qe mbesa e autorit të librit, Ola Cala, studente për informatikë, me recitimin me mjeshtri artistike të poezisë “Guri i shkulur”, nga ka marrë titullin ky libër.

“Të dashur pjesëmarrës! Më lejoni t’ju shpreh mirënjohjen time të sinqertë për praninë tuaj në promovimin e këtij libri, të shkruar nga gjyshi im, Beshiri. Përtej ketij statusi, ai ishte për mua një mendje e ndritur, pranë së cilës gjeja gjithmonë mbështetje dhe frymëzim. Ai ishte mësuesi im i parë, këshilltari im më i besuar dhe, mbi të gjitha, miku im më i mirë…Për mua, është një nder i veçantë të jem sot para jush për të recituar poezinë ‘Guri i Shkulur’, e cila mban titullin e vetë librit dhe përfaqëson frymën, mesazhin dhe thelbin e kësaj vepre”, u shpreh Ola, e impresionuar por me një zë brilant para se të fillonte recitimin e poezisë.

Të larmishëm e bënë këtë veprimtari promovuese me performacën e tyre artistiuke, edhe këngëtarët Bledar Kaca e Xhevair Marku dhe Muharrem Elezi, me interpreëtimin e këngëve “Jam krenar që jam dibran” dhe “Bashkimi Kombëtar”./ bulevardnews