Kryetarja e Komisionit për të Drejtën e Informimit dhe të Drejtat e Njeriut, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, ngriti një sërë shqetësimesh gjatë raportimit vjetor të kryetares së Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi, duke vënë theksin tek pavarësia e institucionit, mbrojtja e gazetarëve dhe përmbushja e standardeve europiane për lirinë e medias.
Në fjalën e saj, Tabaku e vendosi diskutimin në kontekstin e procesit të integrimit europian, duke kujtuar se raportet e Bashkimit Europian kërkojnë forcimin e pluralizmit mediatik, transparencës së pronësisë së mediave, pavarësisë editoriale dhe autonomisë së institucioneve rregullatore.
Sipas saj, pikërisht këto janë fushat ku Shqipëria vazhdon të përballet me sfida serioze.
“Shqipërisë nuk i duhet një institucion që numëron minutat televizive të partive politike. I duhet një rregullator që garanton pluralizmin, mbron lirinë e medias dhe siguron standardet europiane të pavarësisë së tregut mediatik”, u shpreh Tabaku.
Deputetja demokrate kërkoi sqarime mbi mungesën e reagimeve publike të AMA-s në rastet e sulmeve dhe intimidimit ndaj gazetarëve, duke pyetur nëse institucioni ka ndërmarrë ndonjëherë iniciativa konkrete për të mbrojtur gazetarët nga presionet politike apo institucionale.
Ajo ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi rolin e AMA-s në debatet e fundit që kanë prekur lirinë e medias dhe pluralizmin, duke kërkuar një rol më aktiv të institucionit përtej monitorimit teknik të transmetimeve.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit u fokusua edhe tek pavarësia e institucionit. Tabaku solli si shembull mënyrën se si u trajtua çështja e TikTok-ut, duke argumentuar se vendimmarrja e qeverisë krijoi perceptimin se AMA u vendos përpara një fakti të kryer në një fushë që duhej të ishte objekt i kompetencave të rregullatorit.
“Kur qeveria merr vendime në vend të rregullatorit, atëherë lind pyetja nëse institucioni po vepron me pavarësi të plotë apo po trajtohet si instrument administrativ,” tha ajo.
Përveç çështjeve që lidhen me lirinë e medias, Tabaku ndaloi edhe tek menaxhimi financiar i AMA-s. Ajo evidentoi se për disa vite me radhë institucioni nuk ka realizuar një pjesë të konsiderueshme të investimeve të planifikuara në teknologji dhe modernizim.
Sipas të dhënave të referuara nga deputetja, miliona euro investime të programuara për sisteme teknologjike dhe asete nuk janë realizuar, ndërsa fondet e pashpenzuara janë transferuar nga viti në vit.
Tabaku kërkoi shpjegime se përse investimet e planifikuara nuk janë zbatuar, ndërkohë që shpenzimet operative janë rritur ndjeshëm.
“AMA nuk është një agjenci udhëtimesh. Është një institucion rregullator që duhet të investojë në teknologji, kapacitete monitorimi dhe modernizim institucional. Është e vështirë të kuptohet pse investimet mbeten të parealizuara ndërsa rriten shpenzimet operative,” deklaroi ajo.
Në përfundim, Tabaku kërkoi që raportimet e ardhshme të AMA-s të jenë më të fokusuara tek problematikat reale të tregut mediatik, liria e medias, transparenca e pronësisë, mbrojtja e gazetarëve dhe performanca institucionale, duke argumentuar se këto janë standardet mbi të cilat do të vlerësohet progresi i Shqipërisë në rrugën europiane.







