Mungesa e përfaqësuesve të Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar në një diskutim të mbajtur në Hagë për raportin e Avokatit të Popullit lidhur me të drejtat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka nxitur reagime dhe kritika.
Ndërkohë, Specialja ka përsëritur se Avokati i Popullit i Kosovës nuk ka mandat mbi këtë gjykatë.
Javën e kaluar qyteti i drejtësisë në Holandë mblodhi një numër i madh përfaqësuesish të ambasadave të shteteve të ndryshme evropiane, si dhe pjesëmarrës të tjerë të interesuar për çështjet që ndërlidhen me sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Haga u bë vendtakim për diskutimin e raportit të Avokatit të Popullit të përpiluar nga ekspertët britanik lidhur me të drejtat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit që mbahen në paraburgim nga Dhomat e Specializuara.
Por, në këtë takim nuk morën pjesë askush nga Specialja e as nga Prokuroria e Specializuar e Hagës. Në një përgjigje për RTK-në nga Specialja kanë përsëritur se Avokati i Popullit të Kosovës nuk ka mandat për një gjë të tillë.
“Dhomat e Specializuara lëshuan një deklaratë më 11 maj që u publikua në faqen e tyre të internetit për të korrigjuar keqkuptimet e mediave që raportonin në Kosovë dhe deklaratat publike të Avokatit të Popullit të Kosovës në lidhje me përmbajtjen dhe përfundimet e raportit të BHRC. Siç u reflektua në deklaratë, Avokati i Popullit të Kosovës nuk ka mandat ose juridiksion mbi Dhomat e Specializuara. Duke qenë se këto çështje tashmë u trajtuan në deklaratën e 11 majit, Dhomat e Specializuara nuk kanë komente të tjera për këtë çështje”, thuhet në Përgjigjen e Speciales.
Ndërkohë, nga Prokuroria e Specializuara nuk kanë dashur të komentojnë këtë takim te së enjtes së kaluar në Hagë.
Ikje nga përgjegjësia e quan këtë veprim të speciales, avokati Arbër Jashari, sipas të cilit, injorimi i takimit është tregues se Dhomat e Specializuara nuk e kanë kryer punën e tyre siç duhet.
“Vet fakti që gjykata speciale nuk ka marr pjesë flet shumë, kjo tregon në radhë të parë se ata kanë pas frikë të vijnë dhe të ballafaqohen, e dyta, ata me shumë gjasë janë të vetëdijshëm për këto shkelje që në vazhdimësi u janë bërë të akuzuarve dhe mënyra më e mirë për ta ka qenë injorimi duke u thirrur që avokati i popullit të Kosovës nuk është përgjegjës ose nuk ka kompetencë të bëj raporte të tilla. besoj se Dhomat e specializuara është dashur të jenë në secilën tribunë ku ata konsiderojnë që imazhi i tyre po sulmohet ose reputacioni i tyre po sulmohet për qëllime të caktuara”, tha Arbër Jashari, avokat.
Pas takimit në Hagë, avokati i Popullit, Naim Qelaj vlerësoi se mungesa e përfaqësuesve të speciales është refuzim për të pranuar kritikat. Ndërsa, dy autorët e raportit, Gus Ëaschefort dhe Lauren Lederle, theksuan shqetësimet lidhur me paraburgimin e zgjatur, kufizimet për lirimin e përkohshëm, transparencën e provave, pabarazinë mes prokurorisë dhe mbrojtjes, si dhe çështje që lidhen me pavarësinë dhe llogaridhënien gjyqësore.
Ndryshe, deri më 22 korrik pritet që të merret vendimi i shkallës së parë në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve të cilët ndodhen në paraburgim nga nëntori i 2020-tës.







